Lulzim Basha këmbëngul se më 30 qershor Edi Ramën nuk e refuzuan vetëm qytetarët pa bindje politike dhe opozitarët e tij, por edhe vetë socialistët. Patosi ishte ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Demokratike në kuadër të turit të takimeve me qytetarët. Këtu, Basha tha se një e treta e socialistëve e kundërshtuan qeverisjen e Edi Ramës.
Basha iu referua shembullit të Bashkisë së Patosit, ku pjesëmarrja në votime ishte më e ulët se në zgjedhjet e shkuara.
“Sa i përket pjesmarrjes reale, përfshirë ata që janë detyruar me forcë, në bashkinë e Patosit, refuzimi masiv ka arritur një tjetër rekord me 13 përqind. Kjo do të thotë se në Patos vetëm një në tre socialistë ka shkuar të votojë në procesin farsë të 30 qershorit, ndërsa dy në tre kanë vendosur ta bojkotojnë këtë farsë dhe të rreshtohen në krahun krahun e vëllezërve dhe motrave të tyre demokratë, kundër juntës kriminale, kundër hajdutërisë, barbarisë dhe grabitjes së Edi Ramës”, u shpreh Basha.
Në këtë refuzim, një meritë të madhe Lulzim Basha i jep aksionit opozitëar, që prej djegies së mandateve.
“Janë pikërisht protestat popullore, është qëndresa juaj, kurajo juaj, vendosmëria juaj që ka zgjuar kurajon dhe ka vetëdijësuar gjithë shqiptarët përfshirë zgjedhësit e ndershëm socialistë, se 30 qershori nuk bëhej për ta, por për një klikë hajdutësh, që ka thyer çdo rekord babëzie dhe hajdutërie në Shqipëri dhe në Ballkan”, vijoi ai.
Lideri i opozitës tha se në vend të qeverisjes, Edi Rama ka ndërtuar një sistem banditesk grabitjeje.
“Çdo vendim, çdo akt qeverie, çdo ligj parlamenti, çdo rregullore, çdo gjë është për të vjedhur dhe për të grabitur. Jo vetëm me vjedhjen e buxhetit, vjedhjen në dogana, që ka kapur nivele të padëgjuara që në ditët më të zeza të qeverisjes së Fatos Nanos, vjedhjen me tatimet, vjedhjen me tenderat. Tani po vjedhin me koncensionet dhe PPP-të. Ka shkuar çmimi për kilometër rruge në Shqipëri 5 herë më i lartë se sa në Japoninë e tërmeteve, 10 herë më i lartë se sa çmimi mesatar europian, siç është vjedhja në rrugën Milot-Balldren, siç është vjedhja në rrugën Vlorë-Orikum”, deklaroi ai.
Për të treguar se Rama nuk do të ndalet në vjedhjet e tij deri në momentet e fundit si kryeministër, Lulzim Basha renditi edhe disa afera të tjera korruptive të këtyre javëve të fundit.
“Këtë verë kanë planifikuar edhe vjedhje të tjera, vjedhjen me uniformat e policisë ku kanë dyfishuar çmimin. Po bëjnë gati koncensionin 100 euro tarifë shtesë çdo biznesi për një tjetër truk me gjoja një kompani kroate, për të marrë 100 euro nga çdo biznes, a thua nuk e kanë këputur me taksa, gjoba, me çmimin e naftës, me çmimin e energjisë. Teatri, vjedhje e pastër njësoj si Unaza e Re, njësoj si stadiumi e kështu me rradhë.”- tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




