Ashtu siç njoftoi dje, kryedemokrati prezanton platformën për qeverinë tranzitore, ku në thelb mbetet sigurimi i zgjedhjeve të lira. Në takim janë të pranishëm edhe krerët e partive aleate të PD-së.
Kryedemokrati Basha e nisi fjalën me gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Sipas tij, Shqipëria është në kolaps në të gjithë sektorët. Basha foli për krizën ekonomike, institucionale dhe shprehet se pikërisht për këtë krizë, Partia Demokratike prezanton platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Sot jemi në një paralizë totale të drejtësisë, që si kurrë më parë në ndonjë vend të botës ndodhet në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese, asgjësimit të Gjykatës së Lartë, të kapjes së Prokurorisë së Përgjithshme. Numri i shqiptarëve të larguar nga vendi në këto 5 vite ka arritur përmasa të papara që nga fillimi i viteve ‘90. Kolapsi i ekonomisë ka sjellë shkatërrimin e mijërave vendeve të punës, nivele mjerimi si në vende të Afrikës, një në 10 shqiptar ushqehen një herë në ditë, shëndetësia dhe arsimi gjenden në krizën më të thellë”, tha ndër të tjera Basha.
Ai theksoi se përgjegjës për këtë kolaps të vendit është qeveria e lidhur me krimin dhe që nuk ka ardhur si produkt i votës së lirë.
“Ka dy arsye, kjo qeveri dhe pseudomaxhorancë nuk ka ardhur si produkt i votës së lirë dhe nuk janë përgjegjës para qytetarëve, por si bashkëpunim i krimit të organizuar dhe shitblerjes së votës me paratë e krimit dhe drogës. Arsyeja e dytë është se ndryshe nga ç’parashikon sistemi, këtu të gjitha pushtetet janë në një dorë. Pra nuk është parlamenti që kontrollon qeverinë, është qeveria që kontrollon parlamentin”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati ndër të tjera u shpreh i bindur se zgjedhje me Ramën kryeministër nuk do të ketë.
“Presim që ky aspekt i rëndësishëm i transformimit, qeveria tranzitore, të pasurohet përmes këtij dialogu. Sot në ditët dhe javët në vijim presim që këto detyra të kthehen në procese të qarta institucionale që të garantojmë një proces të ligjshëm zgjedhor. Zgjedhje me Ramën kryeministër nuk do të ketë, zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Zgjedhjet pa të janë farsë. Ne nuk do lejojmë që krimi të bëjë më zgjedhje në Shqipëri”, tha më tej kryedemokrati.
Ndërkohë, ish-deputeti Oerd Bylykbashi në fjalën e tij tha se pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të ketë integrim. Ai tha se Partia Demokratike ka identifikuar 6 pika si probleme madhore të zgjedhjeve.
Problemet madhore të zgjedhjeve:
Përfshirja e krimit të organizuar në bashkëpunim me qeverinë në shitblerjen e votës dhe presioni mbi zgjedhësit
Presioni mbi administratën dhe abuzimi me burimet shtetërore
Identifikimi i besueshëm i zgjedhësve
Lista e zgjedhësve dhe sistemi i adresave
Votimi fiktiv i emigrantëve
Roli i policisë në zgjedhje

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



