Politike

Basha nuk është dorëzuar, ankimon vetveten për të penguar statutin e Rithemelimit

Partia Demokratike zyrtare ka ankimuar në Gjykatën e Apelit të Tiranës vendimin e shkallës së parë të 18 janarit, që regjistroi ndryshimet e statutit të partisë sipas vendimeve të marra nga Kuvendi i 17 korrikut të vitit të kaluar, kohë kur Basha e Berisha ishin bashkë.

Apelimi është bërë me kërkesë për të shfuqizuar vendimin e regjistrimit të këtij statuti dhe regjistrimin e ndryshimeve të ndërmarra në Kuvendin e 18 dhjetorit 2021. Në pamje të parë duket si burokraci e rëndomtë, por kërkesa në thelb është një vijim i luftës për të përjashtuar Komisionin e Rithemelimit nga rikthimi në parti.

Arsyeja është sepse sipas vendimeve dhe ndryshimeve që u bënë në Kuvendin e 18 dhjetorit, që Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit nuk e njeh, ish-kreu i PD-së dhe gjithë anëtarët e Komisionit të Rithemelimit janë të përjashtuar nga partia.

Bindjen se PD zyrtare e siglës dhe e vulës nuk është dorëzuar përballë Rithemelimit e përforcon më shumë fakti që ankimimi në Gjykatën e Apelit është bërë më 24 mars, pra ditën e enjte në një kohë që kryetari i komanduar i partisë, Enkelejd Alibeaj bëntë thirrje për bashkim.

Këtë të premte pritet që Gjykata e Tiranës dhe gjyqtari Agron Zhukri vendosën për regjistrimin e ndryshimeve të statutit të Partisë Demokratike sipas vendimeve të marra në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha.

Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja se pse ankimimi që PD i ka bërë vendimit të 18 janarit është një lëvizje taktike e mbështetësve të Bashës për të ndaluar rikthimin e Rithemelimit në seli, ose të paktën për ta zvarritur atë. Ankimimi në Apel u jep mbështetësve të Bashës një dokument për të kundërshtuar dorëzimin e selisë, vulës dhe logos.

Skenari fut në një vorbull juridike të dyja palët, që mund të kërkojë javë e muaj kohë për t’u zgjidhur, sepse kërkesa e Komisionit të Rithemelimit për të regjistruar statutin e 11 dhjetorit 2021 është e shoqëruar bashkë me vendimet e këtij Kuvendi që ndryshojnë logon dhe vulën. E vetmja e përbashkët mes dy grupeve është sigla “PDSH”.

Megjithë pasiguritë se sa do të zgjasë dhe se si do të mbyllet ‘lufta civile’ brenda PD-së, me vendimin për të ankimuar në Apel regjistrimin e statutit të 17 korrikut të vitit të kaluar provohet tërthorazi ajo që Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi mbrëmjen e së enjtes: Lulzim Basha nuk është dorëzuar!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë