Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pas nxjerrjes së raportit paraprak të OSBE/ODIHR duke teksuar se zgjedhjet e 30 qershorit e nxorën më të fortë PD-në dhe aleatët e opozitës.
Pas gjetjeve të këtij misioni, kryedemokrati u shpreh se votimet ishin të paligjshme dhe ky është fakt i pranuar nga të gjithë.
“Sot OSBE-ODIHR dha gjetjet paraprake: 30 qershori nuk ishte në interesin e qytetarëve shqiptarë; Votime pa zgjedhje; Përjashtim i padrejtë i opozitës nga administrimi dhe monitorimi i zgjedhjeve; Mos funksionim gjykatash; Vendime të gabuara të KQZ-së; Marrje e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe probleme të tjera serioze. Demokratët, opozitarët, shqiptarët e thjeshtë ia dështuan planet Edi Ramës. Votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është fakt i pranuar nga të gjithë. Farsa dështoi. PD doli më e forte dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Të gjithë së bashku si qytetarë jemi sot më të bashkuar se kurrë më parë dhe më të fortë se kurrë më parë. Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 qershori”, deklaroi kryedemokrati.
Votimi i djeshëm e thelloi krizën dhe zgjidhja e saj sipas Bashës ka vetëm një rrugë largimi i Ramës dhe ndëshkimi i tij dhe njerëzve që kryen vjedhje të votave.
“Qëndrimi ynë nuk ndryshon: Edi Rama duhet të largohet dhe të hetohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin. Dhe 30 qershori tregoi se me Edi Ramen nuk ka dhe nuk mund të kete zgjedhje te lira dhe te ndershme. Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drej të ardhmes Bashkë me të Duhet të largohen dhe të gjithë qeveritarët e korruptuar. Dhe të inkriminuar Duhet që të gjithë të dalin para drejtësisë”, theksoi Basha.
Ndërsa bëri të qartë se është i vendosur për një ndyshim të thellë politik edhe ekonomik, duke shtuar se fundi i pandëshkueshmërisë së politikanëve duhet të jetë fillimi i ndryshimit që presim.Për liderin e opozitës këtë ndryshim e kërkojnë 85% e shqiptarëve.
Për raportin e OSBE/ODIHR më herët mbajtur një deklaratë edhe ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili i vlerësoi konkluzionet e nxjerra si më të këqinjat që dhënë ndonëherë ky organizëm.
“Kjo është deklarata paraprake më e fortë dhe më e ashpër që ka bërë ndonjëherë në 20 vitet e fundit OSBE/ODIHR-i, duke kritikuar rëndë rolin e qeverisë në shkatërrimin e zgjedhjeve, pasi u pamundësoi zgjedhësve shqiptarë të vendosnin ata vetë për ata që do t’i përfaqësojnë.
Kjo deklaratë e sotme bëri nul të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për organizimin e farsës zgjedhore të 30 qershorit. Opozita do të vazhdojë të provojë çdo shkelje që është konstatuar në procesin e votimit të datës 30 qershor dhe do të bëjë të mundur që shqiptarët të kenë mundësi për të zgjedhur në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike”, do të shprehej demokrati.
Reagimit të Bylykbashir do t’i përgjigjet kryeministri Rama, duke ironizuar mënyrën se si opozita e ka lexuar raportin paraprak e publikuar nga Glover. “Gjyshja ime thoshte po s’e kuptove pse ke humbur, s’e kupton dot pse tjetri ka fituar dhe humbet prapë. Ndërsa unë për vete kam mësuar që kur fituesi nuk kupton se ka fituar ngaqë dikush tjetër ka humbur, atëherë ai rrezikon ta humbasë fitoren e tij”, u shpreh Rama në Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




