Në një takim me mbështetës dhe simpatizantë të PD-së në Malësi të Madhe, kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar zbardhjen e vrasjeve në Shkodër, ku i fundit ishte ekzekutimi i dy vëllezërit në Shkodër, Astrit dhe Brahim Bilali.
“Bandat po hanë kokat e njëri-tjetrit kjo është përgjigjja që jep policia, po policia për çfarë paguhet. Edhe vrasjet duhet të zbardhen, sepse aty ka edhe njerëz të përfshirë në mënyrë të pafajshme. Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu, ose përndryshe ka gisht shteti, nuk ka rrugë tjetër. Drejtësi nuk ka, mundësi nuk ka dhe kjo i ka sjellë njerëzit në dëshpërim”, u shpreh Basha.
Ndërkohë, në një takim tjetër me banorët e Koplikut, ai theksoi se largimi i Ramës është emergjencë kombëtare.
Sipas Bashës, opozita kishte dy mundësi, ose të reshtohej krah bandës që ndodhet në pushtet, ose krah njerzëve të thjeshtë dhe djegia e mandateve shtoi Basha provoi se opozita është me popullin e thjeshtë.
“Ai është njeri i mbaruar politikisht, regjimi i tij është i mbaruar politikisht. Beteja jonë është për ta shembur regjimin që ai ka ngritur me themel. Me Edi Ramën nuk ka zhvillim, nuk ka përprim, ndaj largimi i tij është emergjencë kombëtare, është akt i domosdoshëm. Nuk ka për të pasur Shqipëri në Europë, nëse nuk largohet kjo bandë hajdutësh. Kemi pasur dy mundësi të rreshtohemi krah bandës dhe tjetra të reshtohemi krah jush. PD e mori vendimin, dogji mandatet dhe u reshtua krah jush. Zgjedhje fasadë nuk ka për të pasur më”.
Ai theksoi se kryeministri ka ngritur një diktaturë të re, atë të krimit, duke shtuar se synimi i opozitës është rrënimi i sistemit të ngritur prej tij.
“Edi Rama ka instaluar një diktaturë të re, jo më marksiste dhe staliniste por diktaturë të kriminelëve. Kjo është arsyeja pse nuk gjejnë mundësi të rinjtë për punësim. Beteja që kemi nisur nuk është thjesht për largimin e Edi Ramës”.
Ndërsa më takim me disa biznese familjare, Basha tha se mungesa e drejtësisë i ka çuar shqiptarët drejt dëshpërimit. Sipas tij, kjo qeveri ka ngritur trarë të padukshëm dhe po zhvat bizneset duke i detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre.
Kreu i selisë blu pohoi se vendi është kapur nga 5 oligarkë me në krye kryeministrin dhe kjo sipas tij është arsyeja e largimit të shqiptarëve dhe mungesa e besimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




