Kryedemokrati Lulzim Basha ndodhet në Britaninë e Madhe. Në selinë qendrore të Partisë Konservatore Britanike në Londër, Basha u prit nga Kryetari i saj, Brandon Lewis.
Basha i ka shprehur kryetarit Lewis mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që Partia Konservatore po i jep Partisë Demokratike për komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve sipas modelit britanik, në kuadër të modernizimit dhe hapjes së PD dhe fuqizimit të mëtejshëm të anëtarësisë në procesin e organizimit të primareve.
Basha shprehu vendosmërinë e tij për ta modernizuar Partinë Demokratike sipas modeleve më të mira perëndimore, ku përvoja britanike në këtë drejtim është nga më të vyerat. “Përfshirja direkte e Përzgjedhësit Kryesor të konservatorëve britanik (Chief Assessor) në ngritjen e komisionit të përzgjedhjes së kandidatëve në Partinë ka një domethënie shumë të madhe për bashkëpunimin e mëtejshëm afatgjatë midis dy partive simotra”, tha ai. Në takim mori pjesë edhe kryetari i degës PD në Britaninë e Madhe, z. Naim Hasani.

Dy kryetarët biseduan më tej për bashkëpunimin e ngushtë dypalësh në shkëmbimin e ekspertëve më të mirë, në menaxhimin e fushatave elektorale si dhe në organizimin e brendshëm të partisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




