Kryetari i Partisë Demokratike ka vijuar takimet me fermerë e banorë, këtë të shtunë në Dvoran të Korçës. Fermerët iu ankuan kryedemokratit se kanë 5 vjet që nuk kanë marrë asnjë subvencion nga shteti. Madje ata thanë se janë gati që ti shesin prodhimet nën kosto, pasi pa eksport situata nuk zgjidhet.
Duke folur me ta Basha tha se vështirësia e fermerit sot është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e qeverisjes së keqe me te cilën Edi Rama ka zgjedhur të drejtojë vendin.
“Kush shet votën s’duhet të flasë më as për mollën, as për çmim të lartë të pesticideve e as për çmim të lartë të naftës, sepse në atë moment ka shitur shpirtin. Ti ndërgjegjësojmë njerëzit se kush shet votën ka shitur të ardhmen e fëmijëve të vet. E pastaj vijnë të gjithë politikat, vijnë mbështetja e politikave të bujqësisë dhe e subvencioneve, që edhe molla juaj të dalë të paktën në tregun e Kosovës. Së dyti, të sjellim investime këtu, sepse të gjithë këto tonelata mollë, pse të ngarkohen në kamionë por të hapet fabrika këtu”, u shpreh Basha.
Ai shtoi se Kryeministri dhe ministri i Brendshëm “e kanë mendjen si të shpëtojnë veten, ndaj sipas tij duhet ndërmarrë hap kryesor, pastrimi i politikës nga krimi”, – u shpreh Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.