Pas gjobave që morën për thyerje të rregullave kundër përhapjes së Covid-19, tashmë për liderin demokrat, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi ka nisur edhe hetimi në gjendje të lirë, për pjesëmarrje në protestën e djeshme për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Së bashku me ta janë proceduar në gjendje të lirë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata.
Ndërkohë mësohet se janë proceduar penalisht edhe artistët Robert Budina, Neritan Liçaj, Adriana Kalaja, Artan Manushaqa, Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi.
“Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.
Ndërkohë një ditë më parë, policia arrestoi Arben Qyranin, i cili hodhi shashka në protestën e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Policia tha një ditë më parë se Qyrani është i proceduar edhe më herët për “Tubim të paligjshëm” në vitin 2018, në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




