Politike

Kush është Lulzim Basha ?

15 vjet janë të mjaftueshme për t’i ndryshuar gjërat në një vend, e për pasojë edhe qasjet politike ndoshta duhet të jenë më frymëzuese. Por nëse shohim sot Luzim Bashën në opozitë ai nuk ndryshon pothuajse fare nga paraardhësi i tij në krye të Partisë Demokratike në 2005, edhe atëherë në opozitë, por që mundi të marrë qeverinë po atë vit.

Sali Berisha frymëzoi një model qeverisje, sipas tij me “Me duar të pastra” dhe “Tolerancë Zero.” Sa i realizoi? Në luftën kundër korrupsionit në 100 ditët e para u morën disa masa, por ato ishin më tepër sipërfaqësore, ndaj në atë kohë dhe në vazhdim, Berisha u qortua për mungesën e një platforme konkrete dhe të qartë për t’u përballur me këtë fenomen të ulur këmbëkryq në shoqërinë shqiptare, derisa në mandatin e tij të dytë shpërtheu modeli i bombës së korrupsionit në Gërdec që pati viktima.

Berisha akuzonte Fatos Nanon gjatë fushatës elektorale se kishte ngritur një sistem të mirëfilltë korruptiv dhe në majë të këtij sistemi qëndronte ai vetë. Pasi hyri në zyrë, tha se kishte gjetur abuzime nga më të rëndomtat, deri tek dieta 22 mijë dollarë për udhëtime brenda vendit.

Ish-kryeministrat Fatos Nano dhe Sali Berisha në një prej pak takimeve që kanë zhvilluar së bashku. Gazeta Si, 12 gusht 2019

Berisha akuzonte se prokurimet përdoreshin për qëllime klienteliste dhe korrupsion. Por më pas ai krijoi koncesione të modelit PPP, që edhe sot zhvasin shqiptarët dhe madje nuk kryejnë as shërbimin siç është p.sh. koncesioni për ngjyrosjen e karburantit. Për konfliktin e interesave, Berisha akuzonte në atë kohë aleatin e Bashës sot, Agron Duka si “mamuth të korrupsionit”, që kishte shfrytëzuar postin si ministër i Bujqësisë për të favorizuar bizneset e tij.

Termi “oligark” në atë kohë ishte i huaj për politikën shqiptare. Por, sot, me Agron Dukën në krah Lulzim Basha, ashtu si Berisha në 2015, flet për afera korruptive gjigante të rivalit të tij Edi Rama me një grusht biznesmenësh që i quan oligarkë, për rrënim ekonomik, mungesë sigurie dhe kapje të shtetit nga krimi.

Berisha në 2005 zotohej se do të çlironte ekonominë nga kthetrat e korrupsionit. Të njëjtin premtim përsërit edhe Lulzim Basha sot, me ndryshimin që veç korrupsionit do ta çlirojë edhe nga kthetrat e krimit dhe parave të tij, që sipas Bashës kanë kapur qeverinë “Rama”.

Berisha në opozitë akuzonte se skafet përdoreshin masivisht për trafikun e drogës në drejtim të Italisë dhe vendosi moratorium kur erdhi në qeveri, por Shqipëria nuk lëvizi nga harta si vend kryesor prodhues dhe eksportues droge. “Beteja” e Bashës duket e njëjtë, por ndoshta më e vështirë, edhe për shkak të sofistikimit të kriminalitetit. Ai nuk premton asnjë moratorium, por zotohet se përmes parimit “Ndiq paranë” do të shkatërrojë krimin e organizuar, që kreu i PD-së thotë se me lejen e qeverisë po e përdor vendin tonë si lavatriçe për paratë e pista.

Ashtu si Berisha në 2005, edhe Lulzim Basha akuzon kundërshtarin e tij politik se qëndron në majë të këtij sistemi. Berisha premtonte çrrënjosjen e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, por pas 2005 pak zgjidhje ofroi. Korrupsioni, megjithëse me një përmirësim të lehtë, vlerësohej si problematik nga raportet e Transparency International, e po ashtu edhe krimi, sidomos trafiku i drogës me origjinë Lazaratin, mbetej shqetësues.

Me moratoriumin kundër skafeve, shoqëruar me sistemin e ri të kartave të identitetit dhe të pasaportave, Berisha realizoi lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Por nuk mjaftoi që në 2013, t’i siguronte atij një tjetër mandat. Korrupsioni e kishte mbytur dhe gjakosur qeverinë e tij në të cilën zoti Basha ishte një nga anëtarët më me peshë, herë si ministër i Transporteve, si ministër i Jashtëm, herë si ministër i Rendit .

Berisha prezantoi taksën e sheshtë prej 10 për qind, premtoi luftë evazionit fiskal dhe informalitetit, ulje të taksave si dhe investime madhore në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Premtimet e bëra gjatë fushatës sulmoheshin nga socialistët në atë kohë në pushtet, që deklaronin se ulja e taksave dhe rritja e investimeve publike ishte e pamundur dhe nuk lejohej as nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Por, Berisha këmbëngulte se paratë dilnin nga lufta kundër korrupsionit, evazionit fiskal dhe informalitetit dhe nga goditja e abuzimeve në administratë.

Ashtu si Berisha në 2013, edhe Edi Rama e mori pushtetin me flamurin e luftës kundër korrupsionit, premtimit për rritje rrogash e pensionesh dhe heqjen e taksës së sheshtë prej 10 për qind, që sipas tij favorizonte të pasurit dhe vendosjen e taksës progresive, që Kryeministri e cilësonte më të ndershme. Edhe Rama premtoi se do të tatojë fort të pasurit, por sot akuzohet se i ka favorizuar ata, sidomos një grup të vogël biznesmenësh, që dikur interpretoheshin si njerëz afër Berishës.

Tani, me premtime e zotime të ngjashme me Berishën në 2005 e Ramën në 2013, Lulzim Basha po përpiqet që të vijë në pushtet. Basha premton taksë të sheshtë 9 për qind, goditje të oligarkëve, më shumë taksa për të pasurit dhe fund monopoleve të vendosura, sipas tij, nga qeveria “Rama”. Ndoshta nuk është faji i Lulzim Bashës që Shqipëria dhe politika janë një “deja vu”-. Por nëse Berisha ishte frymëzues, Bashës nuk i mjafton vetëm himni kombëtar.

Megjithatë një gjë e kupton nga kjo kronologji e 15 viteve, ashtu siç problemet kanë mbetur njësoj edhe fatet e liderëve mund të jenë njësoj. Mos harroni, edhe Ilir Metën me LSI, në çdo herë që qeveritë kanë rënë dhe janë ngritur të tjerat, ai për një arsye, apo tjetër ka qenë gjithnjë një pjesë e shkakut, por sigurisht një qasje politike ndryshe nga socialistët dhe demokratët. Ndaj nëse Basha do të vij në pushtet duhet t’i shpëtojë karmës dhe të na tregoj se kush është ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë