Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, përmes dy mesazheve të shkurtra në rrjetet sociale kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës së opozitës mbrëmjen e së hënës.
“Bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa! Asnjë hap pas! #RamaIk”, shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se protestat tashmë nuk kanë rëndësi politike, por janë me një rëndësi jetike për shqiptarët.
“Nesër protesta ka rëndësi për të treguar se shqiptarët, sot, më shumë se kurrë kanë vendosur që të jenë zot të vetes”, deklaroi ajo.
Në thirrjet drejtuar qytetarëve për pjesëmarrje në protestën e së hënës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi as pohojnë, por as mohojnë se pas tubimit paqësor të 21 qershorit, këtë herë mund të rikthehet dhuna.
Kryeministri Edi Rama nuk përmend protestën e opozitës, por citon një fjali nga Martin Luther King për të paralajmëruar kundërshtarët politikë se me përdorimin e dhunës si mjet e kanë të humbur kauzën e tyre.
“Përtej aspektit moral, limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë edhe ata që i bëjnë. Pra protesta e dhunshme s’është revolucionare po reaksionare, sepse ndjell humbjen”, shkruan Rama.
Opozita ka thirrur protestën e nëntë kombëtare, që do të zhvillohet në orën 20:00. Kjo është protesta e parë pas 30 qershorit, që opozita s’e njeh dhe pason atë të 21 qershorit, një protestë e qetë, ku nuk u regjistrua asnjë incident.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




