Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një videomesazhi ka vënë në dukje gjendjen e vështirë që po kalojnë bizneset në Shqipëri. Sipas tij, krahasuar me një vit më parë, numri i bizneseve të mbyllura është dyfishuar.
Sipas shifrave të pasqyruara në video, vetëm në shtator janë mbyllur 1.978 biznese, nga 838 që u mbyllën një vit më parë.
“Me Edi Ramën në qeveri, çdo vit është më keq për shumicën e bizneseve”, thuhet më tej në videon që ilustron me grafikë edhe periudhat 9-mujore 2017-2018.
Krahasimi me vitin e kaluar tregon, sipas kryedemokratit se falimentimi i bizneseve është gati dyfishuar.
Nga 6.969 biznese të mbyllura në periudhën gusht-shtator 2017, për 9 muaj të këtij viti rezultojnë të mbyllura 11.292 biznese.
Sipas asaj që shkruan Basha gjithçka ndodh sepse kryeministri Edi Rama është i përqendruar te krimi dhe oligarkët.
“Sa më gjatë të qeverisë Edi Rama, aq më shumë biznese do të mbyllen”, mbyllet video e publikuar në “Facebook” nga Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.