Lulzim Basha e vlerëson si burim frymëzimi dhe shembull i sakrificave të mjekëve dhe infermierëve rikthimin e doktor Dhimitër Krajës në detyrë, që la pensionin për të ndihmuar kolegët e tij në Spitalin Infektiv, në betejën kundër koronavirusit.
Fatkeqësisht, vetë Dhimitër Kraja ka rezultuar pozitiv dhe Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se ai po trajtohet në Spitalin Infektiv. Gjendja e tij shëndetësore, thotë Ministria është e qëndrueshme. Basha i uron shërim të shpejtë.
“I uroj nga zemra doktor Dhimitrit shërim të shpejtë! Urime dhe lutje për shëndetin e tij burojnë nga zemra e çdo shqiptari. Sot si kurrë më parë nderojmë dhe vlerësojmë sakrificat e mjekëve dhe infermierëve tanë që përballen çdo orë me rrezikun dhe sfidat e vështira të shpëtimit të jetëve nga pandemia e COVID-19”, shkruan kreu i PD-së.
“Asgjë nuk e ndali doktor Dhimitër Krajën të rikthehet pas 48 vitesh në repartin e infektivit për të ndihmuar dhe shpëtuar jetët e pacientëve. Guximi, humanizmi, profesionalizmi dhe solidariteti njerëzor rrëzuan çdo pengesë, dhe e rikthyen atë në krah të kolegëve të tij, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të bashkëqytetarëve nga virusi i rrezikshëm që e preku dhe atë vetë”, thotë ndër të tjera Lulzim Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




