Lulzim Basha mbështet propozimin e Presidentit Ilir Meta për referendum. Ai thotë se referendumi është një prej pesë propozimeve të bëra nga opozita në muajin shtator dhe një mekanizëm i ushtrimit nga ana e popullit të demokracisë direkte.
Kryedemokrati mbështeti edhe nismën e Presidentit për t’u takuar me qytetarët, që nis që më 8 Dhjetor nga Qyteti Studenti.
“Mbështesim idenë e referendumit. Është një prej pesë pikave të programit tonë të prezantuar në shtator, është çështja e demokracisë direkte. Jemi në mbështetje të referendumit si një mekanizëm i demokracisë direkte. Këshilla ime që të gjithë zyrtarët e institucioneve është që të jenë në takim me qytetarët. Mirëpres takimet e drejtpërdrejta të Presidentit me njerëzit”, deklaroi Basha në një bashkëbisedim me gazetarët.
Basha tha se opozita nuk do të lejojë përpjekjet për kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe as ato për të ndryshuar Kushtetutën. Që të dyja këto, Basha thotë se tregojnë se për pushtet Edi Rama është i gatshëm që të bëjë gjithçka.
Kreu i PD-së zbuloi edhe se çfarë do të prezantojë Edi Rama të hënën.
“Ka ndërmend të sabotojë reformën në drejtësi, SPAK-un dhe BKH-në. Do të propozojë atë që bëri me Saimir Tahirin me BKH-në. Kaloi një ligj që e bënte Saimir Tahirin kapon e SPAK dhe BKH, por në atë kohë kishim Gjykatë Kushtetuese që e hodhi poshtë. E hodhi poshtë sepse është e thjeshtë se nuk mund të ngrihen këmbët që t’i bien kokës”, u shpreh Basha.
Basha tha se në fillim të dhjetorit, PD do të dalë me propozime konkrete ligjore për reformën zgjedhore.
“Nuk do të pranojmë zvarritjen si një alibi të Edi Ramës, mundësisht brenda këtij viti, për t’i hapur rrugë menjëherë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që janë artikuluar si kusht i rrugëdaljes për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për integrimin e vendit nga Bundestagu gjerman”, u shpreh ai.
Kryetari i Partisë Demokratike foli edhe për mbështetjen që mori gjatë takimeve me udhëheqësit e CDU-së në Gjermani.
Basha thotë se CDU ka shkuar përtej kërkesave të Bundestagut sa i takon zbatimit të dekriminalizimit dhe luftës kundër krimit të organizuar.
“Partitë Popullore Europian kanë shkuar një hap më tej se Bundestagu dhe CDU si pjesë e PPE kërkon zbatimin pa ekuivok të ligjit të dekriminalzimit dhe nxit ngritjen sa më të shpejtë të SPAK dhe BKH për të nisur hetimin e të gjithë personave të përfshirë. CDU e konsideron të pamjaftueshme situatën sa i takon luftës kundër krimit të organizuar dhe shpreh shqetësimin për kultivimin e kanabisit dhe pastrimit të parave të drogës”, tha Basha.
Kreu i PD thotë se gjuha e përdorur për të përcjellë këto mesazhe shqetësuese është e pashembullt dhe e drejtpërdrejtë.
“CDU Shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike dhe të drejtën legjitime të saj për t’u shërbyer shqiptarëve. Ka një gjuhë të qartë, të thënë troç, të pashembullt në qartësinë e saj, sepse vetëm kështu ndihmohet Shqipëria dhe shqiptarët”, vijoi Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



