Mendim

Bariu i financave ngatërron numërimin e bagëtive

Ndoshta prej entuziazmit të kostumit të ri prej  zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj sot i hyri një shtegu ku nuk i del dot në krye.

Në konferencën për shtyp ku u reklamua rritja ekonomike prej gati 18 përqind në tremujorin e dytë të këtij viti,  e kishte ndarë mendjen se çfarë do pyetje t’i vinte nga gazetarët ai do ta gjente atë shtegun që dëshironte për të  shpjeguar ekonomikisht se pse prodhimi i qumështit është rritur kur të tjerët përveç tij dhe qeverisë që përfaqëson thonë se numri i krerëve ka rënë.

Zoti Ametaj e bëri këtë ndërhyrje sepse sipas tij për sa kohë është rritur prodhimi i qumështit do të jetë rritur  edhe  numri i krerëve dhe nuk mund të jetë e kundërta.

Bariu prej kohësh i financave të qeverisjes së socialistëve, gaboi.

Edhe nëse do të ishte i vërtetë argumenti ai nuk tregoi se si qeveria e mat statistikisht prodhimin e qumështit.

Sepse sa për një fakt të thjesht prodhimi i qumështit vjen edhe nga fabrikat që sot punojnë edhe më qumësht pluhur të importuar ku me 1 kilogram pluhur prodhohen 10 kilogram qumësht.

Gjithsesi gazeta Si mësoi nga ekspertët dhe shoqatat të cilët janë çdo ditë të ballafaquar me shifrat dhe realitetet se as numri i krerëve nuk është rritur dhe as prodhimi i qumështit.

Po pse  shifrat zyrtare i tregojnë të kundërtën zotit zv-kryeministër?!

Një arsye  që “djemtë e qytetit “ nuk e kuptojnë është se në regjistrat zyrtar të blegtorisë nuk janë skontuar krerët në moshë që nuk kanë aftësi më të prodhojnë qumësht. Një burim i besueshëm i tha gazetës se në regjistër gjen edhe lopë plakë 20 vjeçare.

Nga ana tjetër sipas ekspertëve nuk ka si të rritet numri i krerëve kur  materiali gjenetik për të paktën 3 vjet nuk është shtuar.

Këtë të dhënë e gjen në librat zyrtar të shtetit.

Ka vetëm një mënyrë për të rritur prodhimin bio të qumështit pa rritur sasinë e krerëve. Rritja e rendimentit përmes përmirësimit të racës thonë ekspertët. Por as kjo nuk ka ndodhur. Edhe këtë e tregojnë të dhënat që kanë shoqatat që flasin për shifra në rënie të paktën tre vitet e fundit.

Edhe pse shifrat e një rikuperimi ekonomik nga pandemia prej 18 përqind është entuziaste brenda saj ka trishtim.

Bujqësia, blegtoria dhe peshkimi kishin rënie ekonomike. Janë i vetmi sektor me rritje negative, nëse  do të  flisnim me gjuhën zyrtare që e shikon gotën gjysmën bosh. Dhe ky është një nga problemet e mëdha të ekonomisë me të cilën ushqehen  gjysma e shqiptarëve.

As lopët plakë, e a sahanët me qumësht të numëruar siç i numëroi sot zoti Ahmetaj nuk e  ndihmojë bujqësinë dhe blegtorinë e cila jep 1/3 e prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

Ndaj zoti Ahmetaj bëri gabim që i hyri këtij shtegu sot, se kostumi që ai ka si zëvendës-kryeministër as nuk është më i gjatë se i paraardhësit dhe as i shkon realitetit që ai përfaqëson.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë