“Ndërsa shumë shkruan për të, unë kam zgjedhur një formë tjetër, vajtimin”, kështu shkruante baritoni Ylber Gjini në faqen e tij të Facebook-ut, ndërsa kishte postuar një video ku këndonte një këngë liturgjike “Shenjt Perëndi”…
Shenjt perëndi Shenjt i fuqishëm Shenjt i pavdekshëm mëshirona
Shenjt perëndi Shenjt i fuqishëm Shenjt i pavdekshëm mëshirona
Shenjt perëndi Shenjt i fuqishëm Shenjt i pavdekshëm mëshirona
Vajtonte me zërin e tij të fuqishëm e vibrues, këngëtari lirik që i dha 30 vite jetë, roleve të ndryshëm në Teatrin Kombëtar të Operas e, për 25- vjeçarin e vrarë nga policia mëngjesin e 8 Dhjetorit, pasi nuk iu ndal patrullës së policisë. Ndryshe nga ata që shkruan, të indinjuar në rrjete sociale apo ata që dolën të protestonin, baritoni zgjodhi forcën e zërit të tij për të rrëqethur me dhimbjen e humbjes së një të riu.
“Kur këndoj jam shkëputur nga ambienti përreth, spektatorët, skena e jam futur në një botë krejt tjetër… Është një tjetër rreth që të ngjason gati me një ëndërr, ose ashtu siç përshkruajnë parajsën. Sepse, kantoja është arti ku më tepër këndon shpirti. Pra vërtetë që vokali dëgjohet, por burimi është i brendshëm”, kështu e përshkruante atë magji të këndimit kohë më parë Ylber Gjini.
O Zot falna fajet tona
O Zot i madh ndjeji paudhësitë tona
O i shenjtë mëshiro dhe shëro sëmundjet tona në emrin tënd
Thotë liturgjia ortodokse, që merr potencën e një vepre tragjike në skenë, ndonëse Gjini ndodhet në qoshkën pranë pianos dhe nuk e heq nga goja maskën, e zezë. Kur e pyesnin dikur mbi protestat që zhvilloheshin, si ato në Astir apo gjetiu, të shoqëruara me arrestime e debat politike, thoshte se nuk kish si të mos ndikonte edhe tek ai “Jo thjesht këngëtarë që këndojnë nota, por aktorë të kësaj shoqërie”.
Ndonjëherë i penduar se përse nuk e provoi karrierën e tij jashtë, i zhgënjyer ka rrëfyer se nuk ka asnjë titull, edhe pse i numëron tri dekada si solist lirik. Për kategori duket se nuk ka titull “Mjeshtër i Madh”, ende.
“Unë se di si se si bëhen këto gjëra, por ata që marrin tituj duhet të jenë njerëz të zgjedhur dhe me background që i njohin këto gjëra, që t’i njohin fushat dhe aftësitë, kush e meriton. Janë tituj të çuditshëm shumë. Por duke qenë kaq shumë tituj, nuk e di pse duhet ta dua dhe unë. as e pres më dhe as e dua më atë titull”, shprehej ai.
Vaji i tij, i postuar në rrjetet sociale Ia ngjeth mishtë kujtdo që ulet dhe e mban vesh. Më shumë sesa kakofonia e fjalëve të shkruara e të thëna, vaji I një burri për një djalë të ri është ndoshta akti më i fuqishëm për të derdhur dhimbjen. “Vajtim burrash, e veçanta e shqiptarëve. Dhimbje, trishtim. Zëri yt në këtë vaj të drithëron”,shkruante dirigjentja Suzana Turku.
Shenjt i fuqishëm, mëshirona!, mbetet të themi në këto kohë të vështira duke kthyer sytë nga e padukshmja dhe drejtësia hyjnore…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




