Gazeta Si - Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka dorëzuar me iniciativë të tij telefonin e tij në SPAK pas denoncimit që bëri pak ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme në lidhje me disa mesazhe që i kanë mbërritur në aplikacionin "Signal" nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi “Mbreti Zog”.
Në mesazhe elektronike, dallohen emra të personazheve të krimit në vend, Ervis Martinaj (i zhdukur prej dy vitesh) dhe Erigers Mihasi (i ekzekutuar në një atentat në Tiranë), për të cilë Bardhi mohoi të ketë pasur ndonjëherë kontakte në të shkuarën.
Ai u shpreh se dorëzoi me vullnet të plotë telefonin e tij në SPAK dhe tha se do të paraqitet “për këtë veprim hetimor të nevojshëm” sa herë të jetë nevoja.
"SPAK ka marrë të gjitha të dhënat e nevojshme me qëllim që të identifikojë nga ka ardhur mesazhin në telefonin tim dhe autorët. Nuk kam asnjë dyshim. Kam besim se nuk është vetëm në interesin tim personal, nuk shantazhohem kur bëhet fjalë për mbrojtje të interes publik. Është një çështje edhe në interes të Prokurorisë së Posaçme. I jam drejtuar SPAK sepse dyshimi është se personat që kanë sajuar këtë veprimtari kriminale, janë ose subjekte të krimit të organizuar ose zyrtarët publikë që dalin në përgjime. Nuk më mori kush në pyetje, se nuk kam ardhur për t’u marrë në pyetje. U vura prokurorëve në dispozicion telefonin tim", - theksoi Bardhi pas daljes nga SPAK.
Gazment Bardhi, në letrën dërguar Prokurorisë së Posaçme më 30 shtator, u shpreh se mesazhet janë një tentativë për ta intimiduar në ushtrimin e detyrës time si deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Tashmë do t’i takojë SPAK për të zbardhur rastin, nëse bëhet fjalë për biseda të sajuara, apo autentike.
Në SMS-së dërguar kreut të Grupit të PD-së, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës dërguar në SPAK, shkruhet: “Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.