Politike

Bardhi: Ngjarja në Krujë nuk është dështim i një deputeti si prind, por i shtetit përballë krimit


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaron se ngjarja e rëndë në Krujë nuk është dështim i një deputeti si prind apo vëlla, por është gjunjëzim dhe dështim i shtetit përballë bandave me pushtet politik.

“Ngjarja e rëndë e Krujës është thelbi i qeverisjes së Edi Ramës. Është po aq shokuese sa dhuna shtazarake e fisit Rraja, pafuqia e institucioneve për të vepruar dhe për të zbatuar ligjin.

Ngjarja në Krujë nuk është dështim i një deputeti si prind apo vlla, siç po tentohet të shitet, por gjunjëzim dhe dështim i shtetit përballë bandave me pushtet politik. Për shkak të këtij modeli qeverisës sot kemi disa oficerë policie në azil, që duhej të ishin në punë, për të ofruar rend e siguri për qytetarët, por nuk janë, janë larguar, sepse në përballjen që ata kishin me bandat, qeveria e Edi Ramës zgjodhi ti braktiste ata dhe të mbronte bandat me pushtet politik, siç tentoi të bënte edhe për këtë ngjarje 2 ditë më parë”, tha Bardhi.

“Qytetarët protestojnë prej ditësh se një gurore në pronësi të familjes së deputetit po dëmton shtëpitë e një fshati të tërë dhe institucionet fshihen, nuk veprojnë. Deputetët e opozitës kanë denoncuar një muaj më parë rastin në Parlament dhe ministrat e Edi Ramës bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Edhe sot nuk ka asnjë veprim nga institucionet përgjegjëse për të ndaluar veprimtarinë e paligjshme të atyre guroreve.

Qytetarët paraqiten të masakruar në Policinë e Shtetit, dhe drejtuesit e policisë jo vetëm nuk veprojnë, por kujdesen të thonë që ka shoqëruar disa familjarë të deputetit por i kanë lënë të lirë sepse gurorja është me leje. Veprimet e Policisë së Shtetit për arrestimin e personave erdhën vetëm pas publikimit të pamjeve shokuese të dhunës ndaj dy qytetarëve të pafajshëm”, vëren Bardhi

Ai nënvizon se, “ngjarja e rendë e Krujës nuk mund të kalohet me përgjegjësi individuale apo familjare, por me përgjegjësi të plotë politike, duke nisur nga arkitekti i këtij modeli qeverisës Edi Rama që qeverisë sipas parimit ‘merr dhe mbaj pushtet me krimin, dhe jepi pushtet në qeverisje pa kufi krimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë