Politike

Bardhi debate me Spiropalin: I vure kyçin Kuvendit për të ngrënë drekë në Greqi

Nga Gazeta ‘Si’- Seanca plenare e Kuvendit ka nisur me debate të ashpra, pasi opozita akuzoi kryetaren Elisa Spiropali se ka marrë “peng” Kuvendin dhe se sipas tyre “i vuri kyçin” për shkak të axhendës së saj.

I pari që mori fjalën ishte kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi i cili akuzoi Spiropalin se ajo i shtyu punimet e Kuvendit, për “të ngrënë drekë në Greqi”. Sipas Bardhit, kryeparlamentarja nuk ishte në Ukrainë të enjten.

“Seanca plenare do duhej të ishte mbledhur të enjten, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit. Të enjten nuk ishit në Ukrainë, por po haje drekë në Greqi. Të mbyllësh kuvendin për ta trajtuar si shtëpinë personale, është një arrogancë që kalon kufijtë e sjelljes tuaj të përditshme“, tha Bardhi.

Më tej, tha se kur na ndajnë edhe pak kohë nga mbyllja e kësaj legjislature, nismat e deputetëve janë lënë “stok”.

“Edhe pse jemi një muaj nga mbyllja e kësaj legjislature, ju mbani të kyçura 60 nisma të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ju trajtoni me prioritet çdo nismë që vjen nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë nuk trajtoni asnjë projektligj të propozuar nga deputetët, kryesisht nga deputetët e opozitës. Janë nisma që flejnë në sirtarin tuaj. Jemi tre javë nga mbyllja e Kuvendit dhe ne nuk e dimë akoma se kur do të shqyrtohen në seancë plenare. Uroj t’ju ketë shijuar dreka në Athinë dhe t’ja ketë vlejtur!”, tha ai.

Nga ana tjetër, Spiropali sqaroi se seanca nuk u shty për shkak të axhendës së saj, por se shumë deputetë kishin aktivitete të tjera.

“Seanca nga 12-16 nuk u shty për pjesëmarrjen time në samit, por shumë deputetë kishin mungesa në aktivitete të tjera. Ishte e zëvendësueshme prezenca ime me dy nënkryetarët. Vazhdo më ndiqni në rrjetet e mia sociale”, iu drejtua ajo me ironi Bardhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë