Politike

Bardhi apel grupit të Bashës: Kush rri jashtë PD, i shërben përçarjes. E vetmja rrugë, të fitojmë zgjedhjet me kryetar Berishën

Nga Gazeta Si - Pas fitores së betejës ligjore për legjitimitetin e organeve të Partisë Demokratike, në forcën më të madje të opozitës ka nisur edhe një valë e re përpjekjesh për bashkim. Pala fitimtare e Sali Berishës po bën gjithçka të marrë me vete sa më shumë nga pala e Lulzim Bashës. Madje nënkryetari Gazment Bardhi la hapur derën e bashkëpunimit edhe për zotin Basha. “Në PD ka vend për cilindo që dëshiron të jetë në PD, pa përjashtuar askënd” tha zoti Bardhi për Gazeta Si, duke i garantuar ata se brenda partisë do të kenë të gjitha kushtet për të ushtruar aktivitetin politik dhe për të ruajtur mendimin ndryshe për çështje të caktuara.

Zoti Bardhi tha se vendimi i gjykatës ndan përfundimisht ata që janë për bashkimin dhe ata që janë për përçarjen. “Çdo paragjykim për grupin e Bashës duhet të nisë nga sot. Nëse dikush thotë që po lufton për PD-në prej 3 vitesh, por kur qartësohet se kush është PD, vazhdon me të njëjtën rrugë jashtë PD-së, atëherë është e qartë se qëllimi nuk ka qenë forcimi i PD-së, por mbajtja e saj e përçarë.”- u shpreh nënkryetari demokrat, i cili nuk ka ndonjë pritshmëri në bashkimin e Bashës me PD-në e Berishës.

Gazeta Si: Me fitoren e betejës ligjore në Apel, a ka vend për Lulzim Bashën në partinë e Sali Berishës?

Gazment Bardhi: Nuk dua të fokusohem tek emrat e përveçëm, por në PD ka vend për cilindo që dëshiron të jetë në PD, pa përjashtuar askënd. Madje, është detyrë e lidershipit të partisë të krijojë të gjitha kushtet, jo thjesht që ata të vazhdojnë aktivitetin politik brenda PD-së, por ta ushtrojnë këtë aktivitet të pashqetësuar nga fakti që kanë mendime të ndryshme për çështje të caktuara. Nuk jemi të detyruar të mendojmë njësoj, po jemi të detyruar të jemi në PD, nëse vërtet punojmë për të. Partia Demokratike nuk është pronë individuale e askujt, por i përket anëtarëve të saj. Prandaj, askush nuk duhet të humbë kontributin vetëm se mendon se një emër i caktuar, qoftë ky dhe kryetari i partisë, nuk është i duhuri për të drejtuar partinë. Kjo është çështje e vullnetit të shumicës dhe është zgjidhur me votë, kështu që pakica nuk mund të imponojë se kush duhet ta drejtojë partinë. PD nuk është shtëpia as e Sali Berishës, as e Gazment Bardhit, por është e të gjithë demokratëve. Prandaj, nuk ka asnjë arsye që të largohen nga kjo forcë politike pa u përpjekur të japin kontributin dhe të ruajnë aksionet e veta në këtë parti. Detyra jonë është që ata t’i ruajnë këto aksione.

Gazeta Si: Do të ketë një përpjekje tjetër të fundit për bashkim para zgjedhjeve nga pala juaj, duke qenë se ju përfaqësoni partinë zyrtare?

Gazment Bardhi: Deri tani, pa u marrë vendimi nga Gjykata e Apelit, nuk kam paragjykuar askënd prej kolegëve që zgjodhën të qendrojnë me grupimin e zotit Basha. Çdo paragjykim për ta duhet të nisë nga sot. Nëse dikush thotë që po lufton për PD prej 3 vitesh, por kur qartësohet se kush është PD, vazhdon me të njëjtën rrugë jashtë PD, atëherë është e qartë se qëllimi nuk ka qenë forcimi i PD-së, por mbajtja e saj e përçarë. Vlerësoj çdo koleg, si Kreshnik Çollaku apo Eralda Bano, që po tregojnë koherencë dhe tani po bëjnë atë që kanë thënë, se ata janë atje ku është përfaqësimi legjitim i PD, pavarësisht se kush e drejton PD. Kjo është një qasje disi e ndryshme nga e imja, pasi sipas meje, PD nuk është aty ku thotë gjykatë, por aty ku është shumica e anëtarëve. Megjithatë, asgjë nuk është për t’u paragjykuar. Uroj që çdo koleg që mendon ndryshe të ngrihet në përgjegjësinë e mandatit që kanë fituar me votat e demokratëve. Ne kemi detyrimin të jemi në PD, në forcën ku besojmë dhe çdo ide apo qendrim që kemi, duhet ta diskutojmë në PD, ta çojmë përpara, të bëjmë betejë që kjo ide të bëhet ide shumice brenda PD-së.

Gazeta Si: Pavarësisht vendimit të Apelit, me zotin Basha kanë qëndruar 7-8 deputetë të tjerë të PD.  Do të vazhdojnë të jenë zyrtarisht pjesë e grupit parlamentar?

Gazment Bardhi: Dua të siguroj se ndaj askujt nuk do të merret ndonjë masë përjashtimi, siç ka ndodhur në të kaluarën. Shpresoj që atë të marrin pjesë në mbledhje. Të shprehin qendrimet, idetë, mendimet e tyre dhe të respektojnë vendimet e grupit. Kushdo që nuk bie dakord me ketë del nga grupi parlamentar. Në dijeninë time, disa prej tyre do të heqin dorë nga anëtarësia në grup, duke u distancuar vetë nga PD. Është zgjedhje e tyre dhe askush nuk i pengon, por ky akt tregon që ata nuk duan të jenë me PD, nuk shqetësohen për PD. Kushdo bën zgjedhjet e veta në politikë dhe nuk gjykon askënd.

Gazeta Si: E shihni si zgjidhje tërheqjen e zotit Berisha, në mënyrë që PD të marrë votat edhe të atyre që s’e mbështesin, veçanërisht tani që gjendet në arrest shtëpie?

Gazment Bardhi: Tani që jemi shumë afër zgjedhjeve, e vetmja rrugë që kemi është të fitojmë zgjedhjet me kryetar Sali Berishën. Këto ditë ne nisim hapa konkretë për këtë objektiv, me organizimin e partisë për zgjedhje, me ndërtimin e ekipit dhe me ndërtimin e alternativës për zgjedhje. Çdo rihapje e diskutimeve për zhvillime të brendshme të partisë, jo vetëm është i papërshtashëm, por është krejtësisht i dëmshëm. Çështja e drejtimit të partisë tani është e zgjidhur. Partia do të shkojë në zgjedhje me këtë lidership. Dhe lidershipi ka tre detyra: Organizimin, e partisë, ekipin me të cilin do të kërkojë besimin e qytetarëve për të sjellë ndryshimin real pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe një alternativë qeverisëse që ka në qendër qytetarin.

Në lidhje me gjendjen e arrestit në shtëpi të zotit Berisha, patjetër, që kjo e bën më të vështirë, por ai është  24 orë në punë. Prandaj, edhe pjesa tjetër e strukturave të partisë duhet të jetë 24 orë në punë. Kjo vështirësi në këtë situatë, ku ndodhet kryetari i partisë duhet të jetë motivim për secilin prej nesh për të punuar më shumë dhe për ta çuar partinë drejt fitores, përfshirëse dhe kolegët e tjerë, deputetë, anëtarë simpatizantë që kanë një mendim ndryshe.

Gazeta Si: Ju s’merrni pjesë në komisionin e posaçëm për reformat, por ndërkohë s’keni asnjë produkt as në Grupin e Dialogut me PS. Çfarë po ndodh atje?

Gazment Bardhi: Ka një ngërç të krijuar nga PS në Grupin e Dialogut, për shkak të refuzimit të çdo propozimi që bëjnë përfaqësuesit e opozitës në grup. Javën e ardhshme kemi një mbledhje të grupit parlamentar edhe për t’u i formuar se çfarë ka ndodhur në këtë 1 muaj e gjysmë në Grupin e Dialogut. Do të na duhet të marrim vendim edhe sesi duhet t’i përgjigjeni ne këtij bllokimi të vazhdueshëm për reformën zgjedhore. Në çdo rast, qëndrimi ynë do të bëhet publik.

Deri tani, Edi Rama nuk pranon rikthimin e koalicioneve, pra nuk pranon rikthimin e të njëjta kushteve të zgjedhjeve 2013, që, me një ligj konsensual, prodhuan rotacion politik. Në 2025, opozita duhet të ketë, të paktën, ato garanci që Edi Rama kishte në 2013-ën. Si rregull, duhet të kishim më shumë, sepse situatat kanë evoluar, por kurrë nuk mund të kemi më pak sesa kishte Edi Rama, kur erdhi në pushtet. Ka një ngërç për votën e diasporës. Ka pasur një propozim konkret nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ka një draft konkret të dorëzuar prej nesh. Është bllokuar edhe kjo çështje nga PS.

Qartësisht, Edi Rama nuk ka interes për reformën zgjedhore, duke konfirmuar atë që ne e kemi thënë që me komisionin dhe më pas me Grupin e Dialogut. Këtë shqetësim e kam ngritur edhe me faktori  ndërkombëtar, veçanërisht tani me diskutimet për komisionin e posaçëm të PS. Ne nuk mund të angazhohemi me çështje të tjera, kur kemi çështje shumë të rëndësishme në tavolinë dhe nuk po i zgjidhim. Prioritet për Shqipërinë nuk ka propaganda e Ramës Shqipëria 2030, që do të na siguroka mirëqeverisjen,  sepse po të duash të mirëqeverisësh, të luftosh korrupsionin, të luftosh krimin e organizuar nuk ka nevojë për komision. Mjafton vullneti i kryeministrit dhe të gjitha këto çështje i ke të zgjidhura. Sot, Shqipëria ka vetëm një nevojë emergjente, si të garantojmë zgjedhjet e lira e të ndershme, sit e sigurojmë një kuadër ligjor, që i jep mundësi të barabarta opozitës me ata që janë në pushtet dhe si bëhet i mundur rotacioni politik, nëse shqiptarët e vendosin këtë me votë. Sot, me mekanizmat ligjorë që Edi Rama ka në dorë dhe me mjetet ekstra-ligjore që përdor, është thuajse i pamundur rotacioni politik


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë