Protesta e banorëve të “Astirit” mbrëmjen e sotme është shoqëruar me tension mes tyre dhe policisë. Kjo e fundit ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin të pranishëm në protestë kundër prishjes së banesave në “Unazën e Re”.
Ndërkohë, banorët pretendojnë se mes të shoqëruarve është edhe një 13-vjeçar. Aktualisht ata ndodhen në komisariatin 6. Burime shprehen se në polici ka qenë I pranishëm edhe deputeti I Partisë Demokratike, Klevis Balliu.
Një prej banoreve të zonës e pranishme në momentin e marrjes së banorëve, u shpreh se policia ka ushtruar dhunë ndaj tyre teksa ata po përpiqeshin që të ndalonin marrjen e banorëve. Banorët e zonës prej disa kohësh kundërshtojnë projektin e “Unazës së Madhe”.
“Ishin mbi 50-60 policë. Veç kemi parë që kanë kapur disa prej protestuesve, një 13-vjeçar dhe deputetin e PD-së, Klevis Balliu. U munduam që t’ua hiqnim duarsh. Na kanë goditur edhe ne gratë, desh na shtypën me furgonin e policisë”, rrëfen një protestuese.
Banorët kërkojnë që banesat e tyre të mos prishen, ose të dëmshpërblehen në masën 100%. Ndërkohë punimet kanë filluar duke hequr ndriçimin e rrugës dhe pemët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




