Nga Gazeta ‘Si’- Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e Thethit kanë dalë këtë të mërkurë(9 korrik) në protestë kundër aksionit të IKMT për prishjen e 40 objekteve pa leje të nisur prej së hënës.
Banorët janë pozicionuar në urën hyrëse të fshatit, duke formuar një kordon njerëzor për të ndaluar hyrjen e forcave të IKMT-së dhe Policisë së Shtetit.
Ata kanë bërë thirrje që të mos preken nënat, gratë dhe familjarët e tyre, ndërsa shprehen se do të qëndrojnë aty për të mbrojtur pronat dhe jetesën e tyre.
“Mos prekni nënat tona, ndalni aksionin,” kanë thirrur banorët, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të ndaluar prishjen e objekteve që, sipas tyre, janë ndërtuar në tokën e tyre dhe pa elementë betoni, vetëm me materiale druri tradicionale.
Drejtuesit e policisë thonë që duhet të zhbllokohet rruga ndërsa banorët nuk po pranojnë.
Ky aksion ka nisur para dy ditësh me qëllim heqjen e objekteve e vendosura në mënyrë të paligjshme, kryesisht ato të përshtatura për bujtina turistike.
Operacioni i IKMT nisi pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama, i cili kritikoi ashpër edhe veprimet e prokurores së Shkodrës, që sipas tij, nuk kishte nisur çështje penale për këto objekte. Të hënën, në qendër të fshatit IKMT ndërhyri për të hequr 12 kabina të vendosura pa leje.
Banorët shprehin shqetësimin për pasojat që do të sjellë heqja e objekteve në zhvillimin turistik dhe ekonominë lokale, duke kërkuar një dialog të hapur me autoritetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



