Njerez

Banorët e Manzës: Konflikte me muxhahedinët. I trajtuam si komshinj, por s’janë fare socialë

Nga Gisela Troplini - Përplasja e muxhahedinëve me policinë gjatë së martës trazoi në mënyrë të veçantë banorët e Manzës së Durrësit, atje ku prej vitesh është ngritur “qyteti” i MEK. I fortifikuar, me masa të forta sigurie për ata që hyjnë e dalin, ndërsa “komshinjtë” e tyre shqiptarë nuk e kalojnë murin rrethues.

Gazeta "SI", shkoi atje për të takuar banorët e Manzës, por ata refuzonin të komentonin ngjarjen e një dite më parë dhe refuzonin të identifikoheshin. Nga të gjithë vinte e njëjta përgjigje "po unë nuk dua të përzihem me këto punë". 

Ndonëse e përshkruanin situatën si të qetë, banorët aty pranë pranonin midis rreshtave se kishin pasiguri. Qëndrimet ishin të ndara mbi komshinjtë e tyre iranianë.

Ramazan Beqja, i cili nga veranda e shtëpisë së tij mund të shikonte të gjithë kampin, (dhe i vetmi që pranon të flasë duke u identifikuar) tregoi për Gazetasi.al se nuk do donte që ata të largoheshin, fundja në Shqipëri ishin për t'u mbrojtur.

"Ne jemi munduar t'i trajtojmë si komshinjtë tanë, por nuk janë shumë socialë. Na kanë ftuar edhe për festa, por i kemi shmangur. Frika është sigurisht, por nuk vjen nga këta e keqja, vjen nga ata që kanë mbi kokë", thotë Ramazani, i cili këmbëngul se në përplasjen me policinë një ditë më parë kishte diçka që nuk shkonte...

Ramazan Beqja, banor i Manzës, Gazeta 'SI', qershor 2023

Ai mundohet të gjejë të përbashkëta me iranianët për të treguar se Manza i ka pranuar.

"Dy herë kemi pasur debate mes komunitetit tonë, sepse aty vdiqën dy vetë dhe banorët nuk pranonin të varroseshin tek varrezat tona. Ata më pas krijuan një vend pranë kampit. Po ata besimtarë si ne janë, nuk ka asgjë!, shton ai.

Në dalje të lagjes ku jetonte Ramazani, një tjetër banor i zonës, i cili nuk pranoi të identifikohej (sepse mund t'i rrezikohej puna në shtet), pranoi se ka frikë nga përshkallëzimi i konflikteve brenda kampit. Por përsëri, ndonëse prania e tyre mund të rrezikonte komunitetin, as ai nuk dëshironte që ata të largoheshin nga Shqipëria.

"Ata jetojnë ndryshe nga ne. Rastisim ndonjëherë në kafene  e dyqane, por nuk kemi komunikim. Ne na vjen keq edhe për ata nëse ndodh gjë", thotë ai, i cili ishte shume i kujdesshëm sa herë përgjigjej.

Brenda një dyqani me produkte kimike, kati i dytë i së cilës ishte banesë, qëndronte një ish-emigrant. I sapo kthyer nga Italia ai refuzoi të komentonte praninë e MEK dhe përplasjen e një dite më parë.

"Duhet të kemi parasysh që ata kanë vite aty brenda, të rrethuar, të siguruar. Ata nuk janë në shtëpi dhe mbi të gjitha janë të gjithë intelektualë. Presioni psikologjik mbi ta është i madh" thotë ai.

Pak metra pas kampit të muxhahedinëve, një çift rreth të dyzetave që po merreshin me biznesin e tyre tregtar, ishin ndër ata që dëshironin largimin e iranianëve.

"Ne kemi pas disa herë konflikte. Nuk janë fare socialë. Me këtë të fundit, do na sjellin luftën në derë. Për çfarë i duam?", thotë bashkëshorti teksa rikujton se kjo nuk është hera e parë që opozita iraniane ka sjellë telashe për vendin tonë, referuar sulmit në tentativë  dhe sulmeve të shumta kibernetike gjatë vitit të shkuar.

Brenda në zyrën e një institucioni financiar, një i ri rreth të 20-ave, i tregoi Gazetasi.al se prania e MEK nuk ishte aspak e dëshirueshme, nga askush, pavarësisht se çfarë mund të shprehnin ata për median.

"Ata kanë tentuar shumë herë të na afrohen, por thjesht duan burime informacioni, nuk duan miqësi. Të gjithë flasin se ata nuk janë shumë miqësorë. Frikë nuk kemi, ndoshta më të moshuarit po. Ata i druhen konflikteve. Ne nuk na pëlqejnë", thotë i riu, i cili është i  shoqëruar nga shoku i tij, i cili  ka të njëjtin mendim.

Në dalje të Manzës, shitësja e një marketi ushqimor, nuk priti të merrte asnjë pyetje për të treguar zemërimin e saj mbi situatën. E frikësuar që në mëngjes, ajo mbante për dore të birin dhe mezi priste largimin e muxhahedinëve, atyre që po terrorizonin banorët siç shprehet. "Nuk dimë çfarë të bëjmë. Ngelëm duke parë lajmet. Ata kështu janë. Kush na i solli le t'i marrë", tha shitësja duke u lutur për qetësi.

Në hyrje të kampit të MEK, kanë mbetur vetëm gazetarët dhe policët, që po prisnin të merrnin urdhrin për t'u larguar. Një nga drejtuesit e policisë që kishte nisur operacionin në 01.00 të mëngjesit të një dite më parë, tregon për Gazetasi.al si u përshkallëzua ngjarja.

"Ne morëm njoftimin dhe u nisëm në 01.00 të mëngjesit. Kishim njoftuar drejtuesit e lartë të MEK dhe ata e dinin. Prandaj kishin lënë dhe derën hapur. Përplasja nisi kur ne morëm kompjuterat. Ata u revoltuan dhe u bënë agresivë. I vunë flakën materialeve", tregon ai.

Efektivi pranon se forcat policore hodhën gaz, por kjo vetëm për t'i shpërndarë. Kjo pasi ata po ndiheshin të rrezikuar, por kurrsesi për t'i dëmtuar ata, edhe pse sipas tij, anëtarët e kampit Ashraf po shpresonin shumë për një incident të tillë. Në pamjet e publikuara nga policia e Shtetit, anëtarët e MEK hidhen vetë përpara furgonave të policisë.

Pamje nga protestat e iranianëve kundër policisë shqiptare, në Manzë, Gazeta 'SI', qershor 2023

Ndërkohë që brenda MEK vijonin protestat, ministria e Brendshme reagoi zyrtarisht duke njoftuar se ndërhyrja e organeve ligjzbatuese u bë pasi veprimet e muxhahedinëve bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare.

Këtë të martë, Policia e Shtetit dhe Antiterrori ishte në operacion për të  ekzekutuar një urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata e Posaçme në ambientet e kampit MEK. Operacioni u kundërshtua nga anëtarët e kampit duke nxitur një përshkallëzim të gjendjes, që çoi në lëndimin e dhjëtëra efektivëve të policisë, por edhe iranianëve.

Policia njoftoi se urdhri i kontrolleve është në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe për parandalimin e sulmeve kibernetike.

Gjatë pasdites së të martës, situata u qetësua dhe rrugët ishin bosh. Shiheshin  disa makinave me logot e mediave apo të policisë.

Edhe pas 10 vitesh që jetojnë në Manzë, opozitarët iranianë janë ende të huaj. Madje, hendeku me vendasit duket se është thelluar edhe më shumë me ngjarjet e një dite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë