Lajme

Banorët e Astirit zhvendosen në komisariat, kërkohet lirimi i të ndaluarve

Është tensionuar situata në “Unazën e Re”, në zonën e Astirit, pasi banorët kanë dalë në rrugë teksa kanë mësuar se do kalonte kryeministri Rama për të vizituar një biznes të zonës. Teksa banorët kanë bllokuar rrugën, situata ka degjeneruar në përplasje të dhunshme.
Në vendnjgarje kanë mbërritur forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me maska e skafandra.
Ndërkohë, Policia ka shoqëruar në Komisariat ish-deputetin demokrat Klevis Balliun dhe disa qytetarë tek “Unaza e Re”, pas tensionit të shkaktuar dhe bllokimit të rrugës.

Banorët kanë vijuar të qëndrojnë në rrugë, edhe pasi kryeministri Rama është larguar nga zona e Astirit.

Pas tensionit që u krijua tek “Unaza e Re”, banorët e Astirit janë zhvendosur tani në Komisariatin nr. 6, aty ku janë shoqëruar 5 banorë, mes tyre edhe ish-deputeti Klevis Balliu.
Banorët kërkojnë lirimin e të ndaluarve, ndërsa nuk kanë munguar edhe aty konfrontimet me policinë.
Ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, e ka cilësuar shoqërimit e demokratit Klevis Balliu si një hakmarrje të pastër politike.
“Sot në burg duhej të ishin ata që me projektin korruptiv tentuan të vidhnin të paktën 20 milionë euro. Klevis Balliu ka qenë në mbështetje të banorëve”, është shprehur Bardhi.

Po ashtu, në një deklaratë për mediat Bardhi tha ndër të tjera se nga ky moment opozita nuk njeh Institucionin e Drejtorit të Policisë së Tiranës.

“Drejtori i Policisë së Tiranës me urdhër politik të Edi Ramës tenton të intimidojë qytetarët në shkelje flagrante të ligjit. Nga ky moment, opozita nuk njeh Institucionin e Drejtorit të Policisë së Tiranës. Është një kriminel në krye të Policisë së Shtetit. Nuk njohim Institucionin e Drejtorit të Policisë së Tiranës dhe do të marrë përgjigjen e merituar personale dhe ligjore nga qytetarët”, ka deklaruar Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë