Lajme

Banorët e “Astirit” në protestë: ARRSH mos guxojë të afrohet!

Në ditën e 39-të të protestës, banorët e “Unazës së Re” me pankarta në duar kanë bllokuar rrugën, duke kërkuar anulimin e projektit, i cili parashikon shembjen e shtëpive të tyre.

Të mbështetur nga deputetët e opozitës, ata paralajmëruan ARRSH-në që të mos u afrohet banesave të tyre: “I bëjmë thirrje ARRSH të mos afrohet, se do ta djegim për së gjalli, mos guxojë të afrohet”, tha njëra nga banorët e “Astirit”.

Në protestën e sotme, Basha nuk ishte i pranishëm, por opozita përfaqësohej nga deputetët Klevis Balliu dhe Endrit Braimllari, të cilët i bënë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestave që kanë shpërthyer në gjithë Shqipërinë.

“Kam 40 ditë që e denoncoj këtë aferë korruptive, paratë e këtyre banorëve po vidhen barbarisht. Përsa i përket dialogut, studentët janë në të drejtën e tyre, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë t’i mbështesin dhe t’i bashkohen”, u shpreh deputeti i PD-së, Klevis Balliu nga protesta e “Astirit”.

Nga ana tjetër, edhe deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari në të njëjtën linjë shprehu bindjen se do t’i shkojë aferës deri në fund, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë