Treg

Bankat tregtare në vend ‘të kërcënuara’ nga kursi i këmbimit por mbeten të qëndrueshme ndaj goditjeve

Nga Gazeta ‘SI’ - Kursi i këmbimit u bë për herë të parë ‘kërcënim’ për bankat tregtare në vend tregon raporti i Bankës së Shqipërisë. Ndonëse treguesi i këtij rreziku mbetet i ulët, ka pasur një rritje të ndjeshmërisë së bankave ndaj tij. Kjo lidhet drejtpërdrejtë me zhvlerësimin e fortë të euros dhe dollarit dhe nga ana tjetër me forcimin e lekut. Deri më sot, vlerësimi për këtë rrezik ka qenë minimal

Gjithsesi, inflacioni dhe rritja e normës së interesit mbetet rreziku kryesor për bankat.

Rreziku nga sulmet kibernetike ka vijuar të mbetet në listën e rreziqeve të rëndësishme. Shtimi i këtyre sulmeve gjatë vitit të kaluar, duket se i ka bërë bankat më të vetëdijshme për këtë rrezik, ndërsa një pjesë e tyre kanë deklaruar se kanë ndërmarrë  tashmë veprime konkrete për përmirësimin e sistemeve mbrojtëse.

Por sipas testeve të stresit (stress tests) të bëra në bankat tregtare, BSH raporton se vazhdojnë të jenë të qëndrueshme dhe të afta për të përballuar goditje, ndonëse janë bërë më të ndjeshme.

Rezultatet e stres testeve tregojnë se në fund të vitit të parë ushtrimor, sektori bankar mbetet i mirëkapitalizuar, pavarësisht skenarëve. Norma e mjaftueshmërisë së kapitalit, shënon 20% në skenarin bazë dhe bie deri në nivelin 19% në skenarin e rënduar.

Prova e rezistencës për mjaftueshmërinë e kapitalit tregon shkallën e qëndrueshmërisë së bankave individuale dhe të sektorit në tërësi ndaj goditjeve të supozuara mbi rritjen ekonomike dhe papunësinë, portofolin e kredisë, ecurinë e kursit të këmbimit, dhe ndryshimin e normave të interesit. Ushtrimi përmban tre skenarë: skenarin bazë, skenarin e moderuar dhe atë të rënduar, dhe periudha ushtrimore shtrihet deri në fund të vitit 2025.

Skenari bazë supozon një rritje ekonomike pozitive gjatë këtij harku kohor, e cila shoqërohet me një rritje pozitive të kreditimit dhe rënie të papunësisë.

Në skenarin e moderuar, rritja ekonomike mbetet në territor pozitiv gjatë periudhës ushtrimore, por norma e rritjes është më e ulët kundrejt skenarit bazë.

Në skenarin e rënduar, supozimet janë më ekstreme duke përfshirë fillimisht një normë rritjeje pozitive, ndjekur nga një tkurrje ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë