Lufta në Ukrainë ka bërë që çmimet europiane të gazit natyror pothuajse të dyfishohen dhe çmimet e naftës të rriten në mbi 115 dollarë për fuçi. Kjo ka shtuar problemin e inflacionit me të cilin përballen Bankat Qendrore të botës. Dhe me siguri do të vijnë më shumë dhimbje. Gjigantët e energjisë perëndimore po largohen nga Rusia, sanksionet po shkaktojnë kërdi në eksportet e mallrave ruse dhe anulimi i gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia në Gjermani do të shtojë vështirësitë.
Nëse eksportet ruse të energjisë ndërpriten plotësisht, çmimi i naftës mund të arrijë në 150 dollarë, duke rritur me shpejtësi çmimet globale të konsumit me 2%.
Sipas traditës, bankierët qendrorë të botës së pasur duhet të injorojnë tronditjet nga mungesa e furnizimit, si shtrenjtimi i energjisë. Kjo për shkak se efekti i tyre i drejtpërdrejtë në inflacion është vetëm i përkohshëm. Kur politikëbërësit e injorojnë këtë rregull, gjërat zakonisht shkojnë keq. Në 2008 dhe 2011 Banka Qendrore Europiane (BQE) rriti normat për shkak të faktorëve të ofertës dhe përfundoi duke përkeqësuar Recesionin e Madh dhe pasojat e tij.
Por tronditja e sotme vjen pasi inflacioni është tashmë shumë i lartë. Bankierët qendrorë janë të shqetësuar për çmimet që marrin një vrull për llogari të vet. Atyre mund t’u kujtohet kriza e energjisë në vitin 1973, kur lufta e Yom Kipurit çoi në një embargo të naftës dhe një rritje të çmimeve që e përkeqësuan problemin e keq të inflacionit.
Është e drejtë të jemi vigjilentë ndaj rrezikut të një përsëritjeje të viteve 1970. Por Bankat Qendrore mund të bëjnë shumë pak për energjinë e shtrenjtë pa i shkatërruar ekonomitë e tyre. Fatmirësisht, megjithëse pritshmëritë e publikut për inflacionin gjatë vitit të ardhshëm janë rritur fuqishëm, pritjet afatgjata mbeten mjaft të qëndrueshme, duke sugjeruar se duhet të jetë e mundur të ndiqet qasja standarde ndaj kësaj goditjeje oferte, duke anashkaluar çmimet e energjisë.
Në të njëjtën kohë, politikëbërësit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj gabimit të kundërt. Energjia më e shtrenjtë do të shkaktojë rritje më të ngadaltë, veçanërisht në pjesët e Europës që mbështeten në gazin rus. Prandaj, mund të duket më tërheqëse për të mbajtur një politikë monetare të lirshme. Megjithatë, si përvoja e Amerikës gjatë pandemisë ashtu edhe historia e viteve 1970 tregojnë marrëzinë e krijimit të tepërt të stimulit kur furnizimet ndërpriten: kjo shkakton mbinxehje.
Qasja e duhur është të ruani një fokus të ngjashëm me lazerin mbi presionet e çmimeve në shtëpi. Rritja e pagave dhe inflacioni bazë, i cili përjashton çmimet e energjisë dhe ushqimeve, janë treguesit që duhen parë. Në Amerikë, ku pagat janë 5.7% më të larta se një vit më parë dhe inflacioni bazë është 5.2%, Rezerva Federale duhet të rrisë ndjeshëm normat e interesit në vitin 2022. (Shoku i energjisë mund të përfitojë gjithashtu ekonominë duke nxitur investimet në naftë dhe gaz argjilor.) Në eurozonë, megjithëse inflacioni bazë, në 2.7%, është shumë i lartë, argumentet janë më të balancuara për shkak të mungesës së rritjes së shpejtë të pagave. Nëse tregu i punës nuk dobësohet, do të ishte e drejtë të rriteshin normat në 2022 me ritmin që pritej para luftës. E njëjta gjë vlen edhe për Bankën e Anglisë.
Megjithëse bankierët qendrorë nuk duhet t’i rishkruajnë ende planet e tyre për menaxhimin e normave të interesit, atyre mund t’u duhet të zvogëlojnë ambiciet për tkurrjen e bilanceve të tyre. Kjo është për shkak se, ndërsa sanksionet hyjnë në fuqi, sistemi financiar global mund të ketë nevojë për mbështetje. Në Europë, shqetësimet për qëndrueshmërinë e borxheve të vendeve mund të rishfaqen pasi rritja është e ndrydhur nga çmimet e larta të energjisë, Italia është e pambrojtur në të dyja aspektet. Gjatë pandemisë eurozona përfitoi nga solidariteti financiar i krijuar pjesërisht nga ndërsjellja e nënkuptuar e BQE-së për borxhin e qeverisë. Bankës qendrore mund t’i duhet gjithashtu të qëndrojë prapa vendeve të cenueshme në një krizë energjetike. / The Economist. Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



