Menaxhim

Bankat në Shqipëri nuk ‘dënohen’ nëse prej tyre dalin të dhënat konfidenciale të klientëve

Nga Gazeta ‘SI’ - Bankat janë të detyruara të mbrojnë të dhënat konfidenciale të klientëve, por megjithatë nëse kjo nuk ndodh ato nuk ndëshkohen.

Sulmet kibernetike që kanë prekur së fundmi disa banka tregtare në Shqipëri dhe nxorrën të dhënat e klientëve, përfshirë numrin e IBAN, sipas ligjit të bankave cilësohen si mosruajtje e sekretit profesional nga pakujdesia, mungesa e masave të duhura. Por, avokati Arbër Hoxha, shpjegon për Gazetasi.al se për një vepër të tillë nuk mund të ketë penalitete, sepse nuk parashikohet në Kodin Penal.

"Çdokush që është dëmtuar nga publikimi i të dhënave bankare është i legjitimuar që t’i drejtohet gjykatës me padi për shpërblimin e dëmit.”, Avokati Arbër Hoxha, Gazeta 'SI'

“Në Republikën e Shqipërisë veprimtaria bankare rregullohet nëpërmjet ligjit ‘Për bankat në Republikën e Shqipërisë’. Në brendësi të dispozitave të këtij ligji, dhe me ekzaktesisht në Nenin 91 sanksionohet ‘përgjegjësia penale e administratës dhe përfaqësuesve ligjorë të bankave të nivelit të dytë’, të cilët me dashje ose nga pakujdesia (duke mos marrë masat e duhura) nxjerrin apo nuk ruajnë sekretin profesional. Megjithatë duke qenë se kjo vepër nuk parashikohet si e tillë në Kodin Penal, nuk mund të ekzekutohet në praktikën gjyqësore”, - qartëson avokati Hoxha.

Sipas këtij ligji, ata që kryejnë shkelje quhen fajtorë dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në një vit. Kur kjo vepër kryhet me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Lidhur me dëmet që mund t’i sjellë qytetarëve publikimi i të dhënave bankare, avokati Hoxha sqaron se mund të ketë dëmshpërblim vetëm nëse dëmi është real, i matshëm dhe jo hipotetik.

Avokati Hoxha shpjegon se “Për sa i përket përgjegjësisë civile, në Nenin 94 të po këtij Ligji sanksionohet e drejta e subjekteve të dëmtuara që mund t’i drejtohen fillimisht Bankës se nivelit të dytë përgjegjëse për shkaktimin e dëmit dhe më pas Gjykatës, për shpërblimin e dëmit. Kështu Neni 608 i Kodit Civil, sanksionon se: ‘Personi (kuptohet fizik ose juridik) që në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet që të shpërblejë dëmin e shkaktuar’. Që këtej është lehtësisht e kuptueshme që çdokush që është dëmtuar nga publikimi i të dhënave bankare është i legjitimuar që t’i drejtohet gjykatës me padi për shpërblimin e dëmit.”

Në komunikime me disa klientë të bankave të sulmuara, ato raportuan se kanë mungesa të konsiderueshme të vlerës në llogaritë e tyre rrjedhëse. Sipas përfaqësuesve të bankës, ky është vetëm keqkontabilizim i shumave sepse asnjë nga llogaritë e klientëve nuk është prekur.

Avokati Hoxha thotë për Gazetasi.al se një situatë e tillë është më e thjeshtë dhe lehtësisht e verifikueshme.

“Për të dhënat të cilat mungojnë dhe ka diskrepancë midis parave të depozituara nga persona (fizike apo juridikë) dhe gjendjes elektronike të llogarive rrjedhëse, situata është tepër e thjeshtë pasi bankat e nivelit të dytë janë përgjegjëse për shumat te cilat personat fizikë apo juridikë i provojnë bankës nëpërmjet mandatit që kanë depozituar ato shuma. Ndërsa banka në rast të kundërt është e detyruar të mbajë përgjegjësi ligjore ose t’i provojë klientëve të saj që nëpërmjet mandatit këto fonde janë tërhequr nga vetë personi apo përfaqësuesit i tij.”, - përfundon avokati.

Të dhënat bankare të 1.000 qytetarëve shqiptare u publikuan në fillim të muajit janar, nga grupi i hakerave iranianë HomelandJustice që kishin publikuar më herët edhe të dhëna nga Shërbimi Informativ i Shtetit dhe e-mail-e të kryeministrit Edi Rama.

Vetëm njëra nga bankat tregtare në Shqipëri reagoi për sulmin, pas disa ditësh mungese shërbimi për klientët, duke thënë se ato janë të sigurtë dhe është prekur vetëm një sistem periferik i bankës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë