Menaxhim

Banka e Shqipërisë do të ndërtojë regjistrin e operatorëve të pagesave

Banka e Shqipërisë do të ndërtojë një regjistër publik të operatorëve të shërbimeve të pagesave, me qëllim promovimin e transparencës dhe konkurrencës në këtë treg.

Vendimi i marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në fillim të shkurtit do të hyjë në fuqi më datë 1 mars. Pjesë e këtij regjistri do të jenë institucionet e pagesave, sipas përkufizimeve të ligjit “Për shërbimet e pagesave”, institucionet e parasë elektronike, ofruesit e shërbimit të informimit të llogarisë dhe agjentët e subjekteve të pagesave.

Për institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike regjistri do të përmbajë emrin e subjektit, numrin unik të identifikimit, adresën e selisë qendrore të subjektit, kapitalin fillestar të paguar, identitetin e aksionerëve me pjesëmarrje influencuese dhe përqindjet e pjesëmarrjes në kapitalin e shoqërisë, identitetin e administratorit, numrin dhe datën e licencës së dhënë nga Banka e Shqipërisë, adresat e degëve, listën e veprimtarive të lejueshme që kryen subjekti dhe, në një rast eventual, edhe numrin dhe datën e vendimit për shfuqizimin e licencës ose numrin dhe datën e vendimit për pezullimin e një ose disa veprimtarive, nga Banka e Shqipërisë.

Regjistri do të përmbajë të dhënat e mësipërme edhe për ofruesit e shërbimit të informimit të llogarisë. Për agjentët e institucioneve të pagesave dhe të institucioneve të parasë elektronike, regjistri do të përmbajë emrin, numrin unik të identifikimit dhe adresën e agjentit, identitetin e administratorit dhe të personave përgjegjës për administrimin e veprimtarisë së shërbimeve të pagesave ose të shërbimeve të parasë elektronike që agjenti do të kryejë në emër dhe për llogari të subjektit dhe shërbimet e pagesave ose shërbimet e parasë elektronike që do të kryejë agjenti.

Të dhënat për institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike do të regjistrohen brenda 15 ditëve nga licencimi, për agjentët brenda dy muajve dhe për ofruesit e shërbimit të informimit të llogarisë brenda tre muajve. Regjistri i ofruesve të shërbimeve të pagesave do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë dhe do të përditësohet rregullisht nga Departamenti i Mbikëqyrjes pranë këtij institucioni. Rregullorja “Për regjistrin publik të ofruesve të shërbimeve të pagesave” është një ndër aktet e nënligjore në zbatim të ligjit “Për shërbimet e pagesave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë