Menaxhim

Banka e Shqipërisë detyrime të reja për bankat: Jo më shprehje “pa interes”. Reklama që informojnë klientët për rreziqet

Nga Gazeta ‘SI’ – Një rregullore e re për reklamat e bankave në vend sapo ka hyrë në fuqi dhe ka për qëllim të ndalojë “grackat” për qytetarët.

Sipas dokumentit të publikuar, bankat nuk mund të reklamojnë produktet e tyre duke përmendur terma si “pa interes”, “komisione dhe tarifa zero”, “kostoja më e ulët në treg”, apo “ne paguajmë për ju”.

Udhëzimi përcakton se në rastet e kredisë konsumatorë, në çdo reklamë duhet të afishohet njoftimi “Kujdes! Huamarrja e parave kushton para”, ose diçka e ngjashme.

Ndër të tjera, rregullorja ndalon bankat të reklamojnë produkte të kredisë konsumatore që inkurajojnë konsumatorët të kërkojnë kredi, duke sugjeruar se kredia do të përmirësonte gjendjen financiare të këtyre konsumatorëve.

Po ashtu bankat duhet të atashojnë dhe rrezikun e kursit të këmbimit, në rastin e një huamarrje.

Udhëzimi i ri është një nga shumë ndryshimet e bëra nga Banka e Shqipërisë në mbrojtje të konsumatorëve, që prej zbulimit të skemës së mikrokredive verën e shkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë