Banka e Shqipërisë ka hedhur poshtë idenë e një kursi fiks këmbimi për monedhën euro, me qëllim minimizimin e efekteve negative, siç u propozua nga bizneset eksportuese.
Në një komunikim zyrtar për Gazetasi.al, BSH sqaron se nuk mund të ndërhyhet në një treg të lirë financiar dhe jep dy skenaret negative me të cilat do të përballej Shqipëria.
“Në përgjithësi, zbatimi i një regjimi fiks të kursit të këmbimit do të kërkonte heqjen dorë nga objektivi i stabilitetit të çmimeve të Bankës së Shqipërisë, ose do të kërkonte aplikimin e normave tejet të larta të interesit për arritjen e tij. Kjo e fundit do të dëmtonte të gjitha bizneset dhe familjet kredimarrëse, duke i vënë ata në vështirësi financiare, duke rrezikuar rritjen e kredive me probleme dhe duke kërcënuar stabilitetin financiar të vendit.
LEXO EDHE:
– Eksportuesit: Rënia e euros na garanton falimentimin. Qeveria dhe BSH s’bëjnë transparencë
– Si mund të frenohet rënia e euros/ Deeuroizim me ligj, kurs fiks këmbimi apo zyrtarizim?
– Tregjet e lira, Banka e Shqipërisë dhe të konvertuarit e vonshëm… (bota ndërhyn për të stabilizuar kursin)
Në veçanti, zbatimi i një regjimi fiks të kursit të këmbimit për kategori të caktuara biznesi do të kërkonte në ekzistencën në praktikë të dy kurseve paralele të këmbimit në ekonomi, diçka që është e pamundur të operohet në një sistem financiar të bazuar në parimet e tregut të lirë, pa shkaktuar deformime serioze të tij”, sqaron më tej në përgjigje BSH.
Pak javë më parë, në një takim me bankat tregtare, Guvernatori i Bankës i kërkoi atyre të lehtësojnë kushtet e kredidhënies për bizneset eksportuese dhe të përdorin me to kontratat ‘forward’.
Lidhur me këtë, në përgjigjen për Gazetasi.al, BSH thotë se instrumentat janë të limituara dhe se ‘përjashtimi’ për një grup krijon kosto në të gjithë ekonominë.
“Instrumentet e Bankës së Shqipërisë për të adresuar shqetësime të grupeve specifike të interesit janë të limituara. Instrumentet që ne disponojmë kanë një ndikim të përgjithshëm; ato prekin njëkohësisht të gjithë ekonominë dhe tregun financiar si dhe të gjitha segmentet e kategoritë e biznesit. Banka e Shqipërisë nuk disponon instrumente të cilat mund të lehtësojnë koston e një kategorie specifike biznesi pa e kaluar këtë kosto në pjesën tjetër të ekonomisë”, shjegohet nga BSH.
Autoriteti kryesor financiar në vend është i gatshëm për të vijuar komunikimin mbi grupet që dëmtohen nga zhvlerësimi i euros duke rikujtuar takimet e shkuara me eksportuesit.
“Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj zhvillimeve të kursit, duke rifreskuar në vazhdimësi analizat e saj, dhe e gatshme të marrë gjithnjë vendimet më të mira për rritjen e mirëqenies së përgjithshme ekonomike dhe shoqërore. Po ashtu, ne mbetemi të hapur për dialog të mëtejshëm me të gjithë grupet e interesit të ndikuara nga ecuria e kursit. Nga ana tjetër, ne kemi orientuar bizneset eksportuese të prekura nga forcimi i kursit, të rritin përdorimin e instrumenteve financiare të cilat zbutin rrezikun e kursit të këmbimit si dhe kemi instruktuar bankat të kenë një përqasje pro-aktive drejt mbështetjes së bizneseve eksportuese të cilat janë në vështirësi financiare” thekson BSH.
BSH tregon se reagimi i saj ndaj luhatjeve të kursit është ai i ‘pezullimit’ të përkohshëm të normës së interesit, duke ndihmuar grupe të tjera.
“Në këtë kontekst, në përputhje me regjimin e lirë të kursit të këmbimit që aplikohet në Shqipëri dhe me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, ne kemi reaguar ndaj këtij zhvillimi duke reduktuar shpejtësinë e normalizimit të qëndrimit të politikës sonë monetare. Me fjalë të tjera, ekonomia shqiptare ka përfituar një nivel më të ulët normash interesi dhe kostosh financimi, duke mbështetur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve si dhe duke lehtësuar barrën financiare për kredimarrësit”, thuhet në përgjigjen e BSH-së për Gazeta Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.