Ekonomi

Banka e Shqipërisë analizon buxhetin 2026: Kujdes me skemën e pensioneve dhe koncesionet!

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka e Shqipërisë ka dhënë opinionin e saj për projektbuxhetin e 2026-s, ku i propozon shoqërisë të jetë më e kujdesshme dhe vigjilente për kontratat koncesionare dhe PPP.

“Për projektet e partneritetit publik privat, në buxhetin e vitit 2026 është përcaktuar një tavan i sipërm i vëllimit. Vlera totale e projekteve e PPP-ve në masën 27.1% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe është kufizuar shuma totale e shpenzimeve që do të përballohen nga buxheti në masën 5% të të ardhurave tatimore të vitit pasardhës. Në këtë kuadër Banka e Shqipërisë inkurajon përpjekjet për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë, vlerësojnë dhe kontraktojnë, monitorojnë gjithashtu këto projekte sidomos, përsa i përket detyrimeve ligjore dhe financiare, të cilat shpesh ngarkojnë buxhetin e shtetit”, tha zv.guvernatorja e Bankës, Luljeta Minxhozi.

Përballë deputetëve në komisionin e Ekonomisë, Minxhozi tha se buxheti vazhdon të rëndohet nga deficiti i skemës së sigurimeve dhe përballet me sfida fiskale që lidhen me rënien e popullsisë. Kështu, BSH i kërkon qeverisë të rishikojë parametrat e skemës së pensioneve.

“Skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deficiti i skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, vijon të jetë një barrë e konsiderueshme në buxhetin e shtetit, duke tejkaluar edhe nivelin e deficitit të përgjithshëm buxhetor. Sfidat fiskale të këtyre skemave mbeten të larta duke marrë në konsideratë fenomenin e plakjes së popullsisë, por edhe atë të tkurrjes demografike. Këto tregues pritet të ushtrojnë presion të shtuar mbi financat publike në të ardhmen dhe duke e bërë të domosdoshme ndërmarrjen e reformave shtesë që të garantonin reduktimin e vulnerabilitetit fiskal të lidhura me to. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë rekomandon, rishikimin e parametrave të skemës së pensioneve, me qëllim kontrollin dhe mbështetjen e saj më të mirë, zhvillimin dhe promovimin e shtyllës së dytë dhe të tretë të pensioneve nëpërmjet mekanizmave fiskalë dhe rregullatorë nxitës dhe integrimin e analizës së rreziqeve demografike dhe fiskale në kuadrin afatmesëm të programit buxhetor në përputhje me praktikat më të mira të Bashkimit Europian”, tha zëvendësguvernatorja Luljeta Minxhozi në Komisionin e Ekonomisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë