Në përrallën e tij të mrekullueshme “Rrobat e reja të mbretit”, Hans Christian Andersen tregon budallallëqet që njerëzit mund të bëjnë për të ruajtur imazhin dhe ndjenjën e rëndësisë së tyre. Mbreti i përrallës përfundon duke ecur lakuriq në të gjithë qytetin. “Kjo veshje është aq magjike sa që vetëm njerëzit e ndershëm dhe inteligjentë mund ta shohin atë”, kishin shpjeguar të ashtuquajturit endës. Kështu që mbreti, këshilltarët e tij dhe të gjithë qytetarët vazhduan të lavdërojnë ato rroba të kushtueshme … derisa një fëmijë me zërin e pafajësisë bërtiti: “Po mbreti është lakuriq!” Ne po përdorim këtë histori për të shpjeguar ngjarjet ekonomike që po ndodhin vitet e fundit.
Na ishte një herë një vend që ndodhej shumë larg, aq shumë larg sa ishte madje në një galaktikë tjetër. Është e rëndësishme të mbani mend se ishte shumë larg, në mënyrë që askush të mos mendojë se ajo që do të ndodh këtu mund të ndodhë ndonjëherë në planetin tonë. Kurrë! Një gjë e tillë do të ishte një pamundësi plotësisht e pamundur!
Në atë vend të largët ishte një guvernator i cili donte të komandonte. Përmbi të gjitha këtë gjëë bënte mirë … ose kështu mendonte ai. Duke qenë se këshilltarët dhe të gjithë ata që e rrethonin, përfitonin shumë privilegje nga pozicioni i tij, ata nuk kishin turp të duartrokisnin të gjitha ato që ai thoshte, sado absurde të ishin.Natyrisht, egoja e guvernatorit ishte aq e madhe sa donte që të gjithë të besonin se ai dinte gjithçka, se ai ishte shpëtimtari i këtij populli të paditur, se ai ishte vetë historia e këtij kombi.
Një ditë, dy burra të veshur elegantë mbërritën tek ky vend dhe kërkuan një takim me “guvernatorin e shkëlqyer të këtij vendi të mrekullueshëm”. Ata dukeshin aq të sigurt në veten e tyre dhe folën me aq shumë bindje sa askush nuk guxoi të vinte në dyshim qëllimet e tyre dhe ata menjëherë i drejtuan përpara udhëheqësit të fuqishëm.
“O heroi më i madh i të gjitha kohërave, o simbol i këtij vendi të shkëlqyer, o lider që gjithë galaktikat iu kanë zili” filluan ata me pompozitet të madh, “ne jemi ekspertë shumë të zotëqë mund të shumfishojmë pasuritë e vendeve, përmes procedurave komplekse alkimike, të kuptuarit e të cilave është dhunti vetëm për disa njerëz. Vendosni në duart tona të gjitha burimet që keni dhe, brenda disa muajsh, pasuria e fituar do të jetë aq e pallogaritshme sa që të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilin ju e qeverisni me kaq mençuri, do të hanë me lugë floriri dhe do të kalojnë pushimet në vila të shkëlqyera me pamje nga deti. Në mënyrë që të mund të kontrolloni përparimin e punës sonë në çdo kohë, ne do të ndërtojmë në qendër një bankë të madhe me mure transparente, në të cilën do të grumbullohen para, ar dhe gurë të çmuar “.
“O Zot!” – bërtiti guvernatori. “A mund të jetë e vërtetë kjo që po thoni? Nëse është kështu, sigurisht, do të keni mbështetjen dhe bashkëpunimin tonë! Më thoni, çfarë mund të bëjmë për t’ua bërë të qetë punën kur ekzekutoni projektin tuaj të shkëlqyer?”
“Oh, shumë pak gjëra! Në fund të fundit, ne jemi studiues dhe kemi shije të thjeshtë. Do të mjaftojë që ju të na siguroni një rezidencë të izoluar me disa hapësira për kohën e lirë dhe rekreative (alkimia financiare që ne praktikojmë është një disiplinë stresuese dhe rraskapitëse!). Sigurisht, ne nuk do të paguajmë asnjë taksë ndërsa jetojmë këtu, pasi shërbimet që do t’ju ofrojmë juve janë të pamundura të vlerësohen… Rezidenca gjithashtu duhet të ketë një kasafortë në të cilën do të depozitoni të gjitha burimet e vendit, pasi ato janë lënda e parë e punës sonë. Sigurisht, ju jeni të lirë të na vizitoni në çdo kohë dhe ne me kënaqësi do t’ju japim të gjitha llojet e shpjegimeve në lidhje me përparimin e detyrës, megjithëse duhet të bëjmë një paralajmërim: Jo të gjithë mund të kuptojnë detajet e asaj që bëjmë! Vetëm mendjet më të afta dhe njerëzit më tënderuar, më të pakursyer do të jenë në gjendje të shikojnë pasuritë që do të grumbullohen në bankën tuaj të kursimit “.
I mahnitur, guvernatori, pranoi pa hezitim të gjitha kërkesat e dijetarëve, madje emëroi edhe një ministër (njeriun e tij më të besuar) i cili do të merrej me plotësimin e kërkesave të tyre. Sigurisht, qytetarët e shtetit të tij nuk kishin nevojë për takëme prej ari (të gjithë e dinë që njerëzit e përulur ia dalin me pak), por atij dhe egos së tij i duheshin disa pallate të tjera dhe shumë mallra të importuara të cilat do të tregonin klasën e tij të lartë.
Të nesërmen, përpara fasadës kryesore të pallatit të guvernatorit, filloi të ndërtohej një bankë gjigande transparente. Në fillim pati disa diskutime për formën e saj ideale: Derri i vogkel tradicional? Një kub i thjeshtë, në mënyrë që të mund të përmbante një sasi më të madhe të pasurisë? Ndërsa këshilltarët nuk po binin dakord, vota e kryemnistrit përfundoi duke iu imponuar (si gjithmonë): “Do të ketë të njëjtën formë si pallati im!” Dhe ashtu u bë. Pas disa ditësh, në një ceremoni madhështore, u ngrit një strukturë e jashtëzakonshme qelqi njësoj si pallati i guvernatorit. Sheshi ishte plotësisht i papërdorshëm për përdorim publik, por askush nuk guxoi të protestonte. Në fund të fundit, të gjithë do të përfitonin nga pasuritë e mahnitshme që të mençurit do të krijonin!
Kaluan disa javë dhe banka, ishte ende aq imponuese sa ditën e parë … dhe saktësisht po aq e zbrazët. Pak i shqetësuar, guvernatori thirri të besuarin e tij,këshilltarin, dhe i kërkoi të pyeste dijetarët se kur do të fillonin të shfaqeshin pasuritë. Këshilltari u shfaq në rezidencë dhe i gjeti ata duke bërë banjo dielli pranë pishinës së bukur që ishte ndërtuar për komoditetin e tyre.
“Mirësevini, i dashur mik! Sa fat i madh për ne që na keni gjetur pikërisht në një nga ato pakëz momentet tona argëtuese! Çfarë mund të bëjmë për ju?”
“Po, ja …” belbëzoi këshilltari, “guvernatori është shumë i interesuar për mbarëvajtjen e punës suaj”.
“Ah, padurimi i bekuar,” qeshën dijetarët. “Mos ndoshta naltmadhënia e tij mendon se alkimia funksionon sipas një orari të rreptë të aktiviteteve? Epo, t’i lemë mënjanë shakatë, ne e kuptojmë shumë mirë, shqetësimin tuaj. Në fakt, ne kemi përgatitur dokumentacionin në të cilin shpjegojmë fazat fillestare të procesit. Ju mund ta shikoni vetë; si një njeri i besuar i Guvernatorit më të shkëlqyer dhe më të nderuar të të gjitha kohërave, për këtë vend por dhe më tej, të këtij lideri botëror, padyshim ju keni mendjen e ndritshme dhe të zgjuar e cila kërkohet për ta kuptuar atë “.
Një të thënë e një të bërë, ata i lanë në dorë një deng prej pesëqind faqesh, plot me formula matematikore, grafikë të mbushur me shigjeta të vogla dhe shkurtesa të pakuptueshme. Ndërsa kaloi ngadalë disa faqe, i shkreti ministër ndjeu vështrimin e dijetarëve mbi të. “Unë duhet të jem një idiot!”, mendoi me dëshpërim. “Unë nuk po kuptoj absolutisht asgjë! A do të jetë në gjuhën time? Ky nuk ka rend, as kuptim, as kokë e as këmbë! “
Në atë kohë, një nga dijetarët ndërhyri: “Ne ju kemi dhënë një ekstrakt të thjeshtuar të dokumentit origjinal, i cili t’ju themi të drejtën do të duhej ta transportonit me valixhe, sepse ne e dimë që pushtetarët janë njerëz të zënë dhe si i tillë edhe koha juaj është shumë e vlefshme”.
Sapo dëgjoi këtë,këshilltari gati sa nuk shpërtheu në lot, por shpejt u qetësua (në fund të fundit, ai ishte një politikan) dhe shumë seriozisht tha: “Përpjekja juaj për këtë zbulimin duhet vlerësuar maksimalisht, edhe pse nuk do të kishte qenë e nevojshme. Me një shikim kam kuptuar thelbësoret e sistemit dhe duhet t’ju përgëzoj për gjenialitetin tuaj “.
“Duke qenë se e kuptuat”, tha njëri prej dijetarëve, “ju patjetër i keni parë edhe grumbujt prej ari e argjendi që janë shfaqur tashmë në bankën e qelqtë. Jemi shumë të lumtur!”.
Menjëherë, këshilltari përdori gjithë përvojën e tij të fituar në tavolinat e pokerit për të mos e treguar tronditjen e tij. “Ah! Oh! Po … po, natyrisht … E mrekullueshme, po, shumë e jashtëzakonshme që keni filluar të merrni rezultate kaq shpejt. Unë ju falënderoj shumë për zellin tuaj: tani për tani unë do t’i raportoj gjithçka Guvernatorit.”
Dhe doli me shpejtësi, duke u përpjekur të bindte veten se zhurmat e mbytura pas tij nuk ishin të qeshura të dijetarëve.
Sigurisht, sapo mbërriti në pallat, ai i dha guvernatorit informacionin “e hollësishëm” dhe i kërkoi që të dilte në ballkon për të parë me sytë e tijë pasuritë që kishin filluar të grumbulloheshin në bankën e qelqtë. Guvernatori, i cili ndoqi të njëjtën linjë mendimi si këshilltari i tij besnik, ishte entuziast për rezultatet e para të dukshme të projektit. Të gjithë banorët e pallatit ishin të ftuar të lexonin dokumentin dhe të sodisnin bankën prej qelqi. Përfundimi ishte unanim: Çfarë mprehtësie e madhe ajo e guvernatorit, kur u besohet e ardhmja ekonomike e vendit personazheve të tillë të jashtëzakonshëm! I dehur nga lëvdatat, guvernatori u dha dijetarëve gradën “Kalorësit Bankierë të Vendit” dhe menjëherë urdhëroi një rritje të jashtëzakonshëm të taksave mbi popullin: sa më shumë të ardhurapër dijetarët, aq më spektakolare do të ishin fitimet.
Situata zgjati edhe disa muaj të tjerë. Këshilltarë të ndryshëm e ministra, u dërguan në rezidencën e dijetarëve dhe të gjithë morën të njëjtin trajtim. Pas secilës vizitë, guvernatori festonte me shumë bujë përparimin e mirë të punës dhe tregonte në televizionin e tij, të vetmin televizion të besueshëm, rritjen e pandalshme të pasurisë së grumbulluar në bankën e qelqtë. “Tashmë e kemi kaluar katin e parë!” “A e keni vënë re? Jemi gati të arrijmë lartësinë e ballkonit kryesor!” “E pabesueshme! Ka arritur pothuajse në katin e fundit!” Eshtë e panevojshme të thuhet, të gjithë këshilltarët dhe ministrat duartrokitën me zell të madh. Edhe qytetarët, të cilët ishin informuar përditë nga televizioni personal i guvernatorit për cilësinë magjike të bankës, dëshironin të tregonin inteligjencën dhe ndershmërinë e tyre dhe ishin të mahnitur me prosperitetin e paparë të cilin e kishin kaq pranë për ta prekur. Ndërsa secili banor i vendit mendonte se ishte i vetmi që nuk mund të shikonte gjë, të gjithë silleshin sikur pasuria të ekzistonte me të vërtetë, dhe filloi një fenomen kurioz i blerjeve me kredi: konsumi u rrit dhe askush nuk mori parasysh mundësinë që në të ardhmen nuk do të kishte mjaftueshëm para për të paguar kreditë. Në fund të fundit, i gjithë vendi po e shikonte rritjen e pasurisë në bankë!
Më në fund, një ditë të bukur “Kalorësit Bankierë të Vendit” erdhën në një takim me guvernatorin. “Ne e kemi përfunduar detyrën tonë! Vende të tjera në galaktikë mezi presin dijet dhe aftësitë tona dhe jemi të detyruar të largohemi, por siç e shihni ne e kemi përmbushur atë që ju premtuam. Banka është aq e mbushur sa nuk ke ku të hedhësh kokrrën e orizit! Ne duhet t’ju përgëzojmë për numri i madh të njerëzve të ditur dhe inteligjente që banojnë në këtë vend të bukur: kemi vërejtur se shumica dërrmuese, për mos të thënë të gjithë, janë të aftë të soditin pasuritë që kemi gjeneruar “.
Dijetarët u larguan me dinjitet maksimal, ndërsa këshilltarët përgjegjës të buxhetit kombëtar pyesnin veten, se si do të shpërndanin burime që as nuk mund t’i shihnin. Guvernatori, i cili natyrisht duhej të paraqitej më i sinqertë dhe më i zgjuar se kushdo, dekretoi dy ditë pushim dhe organizoi një festë të madhe kombëtare, në mënyrë që të gjithë të festonin “hapjen e bankës “, pas fillimit të punës sësë cilës do të fillonte dhe një fazë mirëqenieje dhe prosperiteti siç nuk ishte parë kurrë.
Kur erdhi dita e madhe, shumë qytetarë u zgjuan herët për të siguruar një vend në ato pak hapësira falas tek sheshi kryesor. Të mbledhur së bashku si udhëtarët e metrosë së Tokios në orët e pikut, ata ngjeshën hundët e tyre tek xhami i bankës dhe bërtisnin: “Shikoni atë gurin e shkëlqyeshëm! Ato gurë janë rubin? Unë kurrë nuk e imagjinoja që ari mund të shkëlqente aq shumë!” Dhe kështu me radhë … Më në fund, guvernatori u shfaq dhe u përgatit të përshkonte me një solemnitet të madh shtegun që ishte ndërtuar midis ballkonit kryesor të guvernatorisë dhe bankës së qelqtë. Një hap pas tij, këshilltari i tij i besuar mbante një arkë të vogël, në të cilën do të futeshin, në mënyrë simbolike, thesaret e para. Guvernatori, hapi njërën nga dritaret e bankës, futi të dy duart dhe, duke u shfaqur me kënaqësi të madhe, depozitoi “përmbajtjen” brenda arkës, mes brohoritjeve dhe duartrokitjeve.
Në atë kohë, disa turistë nga një planet tjetër, të përhumbur nëpër rrugët e qytetit, të cilët padashje ishin futur mes turmës dhe që nuk dinin asgjë nga magjitë apo alkimistët financiarë, filluan tëpyesnin me interes banorët e qytetit të cilët ndodheshin rreth tyre: “Çfarë po ndodh këtu sot? Ka ndonjë festë? Çfarë tregon ky pallat i zbrazët prej qelqi? ” Të gjithë ata që arritën të dëgjojnë fjalët e tyre ishin të paralizuar, duke ndier me fjalën “zbrazëti” jehonën e mendimeve të tyre: “A nuk e shihni se çfarë ka brenda?”. “Nuk ka asgjë, natyrisht,” u përgjigjën turistët menjëherë. Fjala u përhap shpejt në shesh: “Disa turistë po thonë se banka e qetltë është e zbrazët”, i pëshpëritën njëri-tjetrit.
Të gjithë u kthyen në shtëpitë e tyre me kokën poshtë … dhe mjaft të shqetësuar. Gjatë viteve në vijim, varfëria dhe mediokriteti e mbyti vendin. Në fjalimet e tij ditore në televizionin e tij, i vetmi i besueshëm në vend, guvernatori përsëriste: “Pas indikacioneve që dijetarët lanë, ne jemi duke pritur që tregjet ndërplanetare të arit dhe gurëve të çmuar të përmirësohen, në mënyrë që të mund të shesim me fitim të gjitha thesaret tona. Deri atëherë, shpresojmë që të dashurit tanë, qytetarët e devotshëm të vazhdojnë me sakrificat që kërkon kjo situatë kalimtare, të cilat do të përmirësohen me rritjen e disa taksave dhe me rritjen e borxhit që do tëna japin galaktikat e tjera… “.
Burimi: ADDKEEN GROUP / Autori anonim; përktheu për Gazeta Si: Meri Lika.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.