Kursi i kembimit

Banka do të publikojë çdo ditë kursin mesatar të veçuar për shitjen dhe blerjen e euros dhe dollarit

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar mënyrën e re të matjes së kursit të këmbimit ku përkrahë kursit ditor të përditshëm do të vendoset edhe mesatarja e shitjes dhe e blerjes për euron edhe dollarin.

Ndryshimet u bënë me qëllimin për të zhvilluar tregun e derivativëve në Shqipëri si instrument mbrojtës ndaj rrezikut të kursit të këmbimit si dhe rritje të transparencës në tregun valutor.

Ndryshimet do të ndahen në 3 pika;

- Zgjerimin e bazës së pjesëmarrjes së bankave tregtare me 4 banka duke zëvendësuar zyrat e këmbimit valutor si dhe publikimin e 10 bankave pjesëmarrëse të “Fiksit” në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë;

- Publikimin  nga ana e Bankës së Shqipërisë  të çmimit “Bid” dhe “Ask” që përfaqësojnë çmimin mesatar me të cilin sistemi bankar është i gatshëm të blejë dhe shesë dollarin amerikan dhe euron kundrejt lekut;

- Standardizimin e shumës së tregtimit në tregun ndërbankar.

Banka e Shqipërisë, çdo mesditë publikon kursin e këmbimit mbështetur në kursin e 4 zyrave dhe 6 bankave, tashmë 4 zyrat do të zëvëndësohen me 4 banka të tjera dhe kursi do të jetë plotësisht i bazuar në banka, 10 prej tyre. Kursi i BSH-së është orientues për statistika, doganat dhe marrëdhëniet klient-bankë.

Tashmë, Banka do të publikojë kursin mesatar të shitjes dhe blerjes për euron dhe dollarin veçmas, duke sjellë më shumë qartësi për të interesuarit se sa kursin mesatar të shit-blerjes bashkë.

Kursi i ri për dy valutat e huaja euro dhe dollar, do të përcaktohet sipas kuotave ndërbankare në vend, ndërsa valutat e tjera nuk do të kenë ndryshime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë