Ekonomi

Banka Botërore parashikon në rritje ekonominë e Shqipërisë: Turizmi dhe ndërtimi faktorët kyç

Nga Gazeta ‘SI’ – Banka Botërore ka rishikuar në rritje me 0.8% ekonominë e Shqipërisë në parashikimin e vjeshtës, duke duke projektuar tashmë rritje 3.6% deri në fund të vitit 2023.

Referuar zhvillimeve aktuale, BB thekson se indikatorët kryesorë ekonomikë sugjerojnë përshpejtim të rritjes gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë, me numrin rekord të vizitorëve të huaj në korrik 2022 dhe përshpejtimin e aktivitetit të ndërtimit.

“Faktor kyç në qëndrueshmërinë e Shqipërisë vlerësohet të jetë afërsia me Bashkimin Europian, që lehtëson investimet, remitancat dhe eksportet. Ndërtimi dhe turizmi vlerësohen si katalizatorë kyç të rritjes ekonomike,” shkruhet në raportin e BB.

LEXO EDHE:
BERZH s’ndryshon parashikimin për Shqipërinë: Do të ndikohet nga dobësimi i Italisë

BB thotë se rritja e të ardhurave nga punësimi, rritja e kreditimit, indikatorët e ndjesisë ekonomike të bizneseve dhe konsumatorëve, si edhe të ardhurat nga taksat sugjerojnë një rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë dhe të tretë, si pasojë e rritjes së konsumit, investimeve dhe eksporteve.

Megjithatë, rritja e aktivitetit të turizmit dhe ndërtimit pritet të shtyjë përpara eksportet, konsumin dhe investimet në vlera të përafërta me periudhën para pandemisë.

Punësimi u rrit me 4.4% në tremujorin e parë 2023. Rritja e pagave dhe punësimi incentivuan pjesëmarrjen e krahut të punës (mosha 15+) në punësim, e cila arriti në 64% në tremujorin e parë 2023, shifra më e lartë që nga viti 2019.

Nisur nga rritja e fortë e GDP-së për frymë në vitin2023, varfëria projektohet të zbresë me 1.9%, duke arritur në 22.2%.

“Ekonomia e Shqipërisë ka shfaqur qëndrueshmëri të konsiderueshme kundrejt goditjeve të njëpasnjëshme gjatë periudhës 2019-2022, duke nisur me tërmetin, pandeminë dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Ekonomia shënoi rimëkëmbje të fortë, me një rritje në masën 8.9% në vitin 2021 dhe 4.8% në vitin 2022. Normat e varfërisë vijuan trendin rënës edhe përgjatë vitit 2022.

Borxhi publik pritet të zbresë në nivelin 63.1% e PPB-së në vitin 2023 dhe projektohet të zbresë edhe më shumë në afatmesëm, si pasojë rritjes së lartë nominale dhe reduktimit gradual të deficitit fiskal, parashikon në raportin e fundit Banka Botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë