Banka Botërore do të ndihmojë me fonde emergjente të gjitha vendet që nuk kanë mundësi të blejnë vaksinën e koronavirusit për të vaksinuar popullatat.
BB ka njoftuar sot planet për një iniciativë prej 12 miliardë dollarësh që do të lejojë vendet e varfra të blejnë dozat të mjaftueshme të vaksinës kundër Covid-19. Në një përpjekje për të siguruar vaksinën për vendet me të ardhura të ulëta në mënyrë që të mos shpërndahet vetëm në kombet e pasura, BB ka premtuar shpërndarjen e saj gjatë 12 deri në 18 muajt e ardhshëm.
David Malpass, presidenti i Bankës Botërore, tha se iniciativa ishte e nevojshme sepse Covid-19 kishte një ndikim shumë më të madh në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme sesa në botën e zhvilluar. “Të kesh para të disponueshme do të jetë thelbësore, sepse sapo të jetë në dispozicion një vaksinë e sigurt dhe efektive, të gjithë njerëzit do të duan të rifillojnë jetën e tyre”, tha ai.
Shumë vende, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë, Kinën dhe Rusinë janë duke porositur dozat e para të vaksinave të mundshme dhe Malpass tha se Banka Botërore nuk dëshironte që vendet e tjera të mbeteshin prapa.
“Ka pasur rezervime të konsiderueshme të dozave të vaksinës nga vendet me të ardhura më të larta dhe ne duam të sigurohemi që edhe vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme të kenë qasje,” tha Malpass.
Banka beson se ekonomia globale nuk do të rimëkëmbet plotësisht derisa njerëzit të ndiejnë se mund të jetojnë, shoqërohen, punojnë dhe udhëtojnë pa u ndjerë në rrezik. Dhe për këtë është e nevojshme vaksinimi i popullatave.
“Covid-19 po godet njerëzit në të gjithë botën, por të varfrit janë më të prekurit”, tha Malpass, duke shtuar se vendet e pasura kishin mbështetje sociale dhe hapësira për të financuar rritje të mëdha në shpenzimet publike por vendet e varfra jo.
Ai tha se vendet që kishin nevojë për ndihmën ekonomike të Bankës Botërore mund të vendosnin të blinin vetë vaksina, të vepronin së bashku me vendet e tjera ose të përfitonin nga mekanizmat e prokurimit.
“Banka ka drejtuar fushata të suksesshme vaksinimi në të kaluarën për fruthin dhe HIV / Aids, dhe do të inkurajojë vendet e varfra të kenë përparësi punonjësit shëndetësorë dhe grupet e cenueshme”, deklaroi ai Malpass.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




