“16 vjet më parë nuk e kisha besuar se do të drejtoja një bandë muzikore me persona me aftësi të kufizuara. Kur më propozuan, e mendova diçka të pamundur”, tregon mësuesi i muzikës Bep Vjerdha, për gazetën “SI”, teksa kujton ditën kur nisi të punojë me anëtarët e bandës së re të panjohur deri atëherë jo vetëm në qytetin e Shkodrës por në të gjithë Shqipërinë.
Mësues Bepi pak nga pak u bë njeriu më i dashur për 22 personat me aftësi ndryshe, të cilët gjetën tek ai figurën e prindit.
Ai u mësoi në fillim solfezhin, të lexonin notat e më pas të luanin në veglat muzikore.
Bepi I zhytur në kujtime thotë se nuk e harron kurrë entuziazmin e tyre, atëherë pjesa më e madhe fëmijë që sapo kishin përfunduar shkollën speciale “3 Dhjetori” në Shkodër.
“Kujtoj njërin prej tyre, Bledarin që luan në trombë, ai ishte më i madhi 18 vjeç dhe punonte në një furrë buke ku shkarkonte thasët me miell. Kishte një fizik të fortë por vuante nga prapambetja mendore. E kam parasysh shkëlqimin e syve kur vinte në prova direkt nga puna dhe në klasë i shkundnim miellin që i kishte mbuluar rrobat. Aq me dëshirë vinin në provat e muzikës”.
Mësuesi tregon se i është dashur të punojë mbi 6 vjet deri në koncertin e parë.
“Në fillim ua lexoja unë notat: DO, RE, MI, FA, SOL…e më pas prisja që ata ta përsërisnin. Kini parasysh se ishin fëmijë që mezi flisnin fjalë, kishin vështirësi në të folur dhe tani duhet të përsërisnin bashkë me mua notat muzikore. Pas kapërcimit të kësaj vështirësie, kalonim tek kënga, e këndonim vetë më parë e pastaj e ushtronim me vegla. Ishin të përkushtuar dhe më dëgjonin”.
Si lindi ideja e krijimit të bandës frymore?
Kastriot Faci, ideatori dhe menaxheri i bandës, një shkodran tipik i buzëqeshur, flet me pasion për punën e palodhur që kanë bërë mësuesit e muzikës për ti mësuar veglat muzikore 22 të rinjve dhe të rejave.
Ai tregon se modeli i krijimit të bandës lindi rastësisht nga vizita e norvegjezit Falk Bakke në Shkodër në vitin 2004.
Si baba i një fëmije autik, Bakke i cili në vitin 2015 u dekorua me çmimin “Qytetar Nderi i Qarkut Shkodër”, kishte përvojë në organizimin e formimin e bandave frymore për persona me aftësi ndryshe në Norvegji dhe në Ishujt Faraoe.
Projekti i ideuar me mbështetjen e Falk Bakke dhe organizatës “Kiëanis District Norden” dhe në bashkëpunim me organizatën “The Door” kishte për qëllim formimin e formacionit trupë muzikore për persona me aftësi të kufizuar mendore ne Shkoder.
“Bandat frymore muzikore janë komunitete muzikore shumë të përhapura në vendet nordike, si një mundësi për të rritur socializimin dhe integrimin social të personave me probleme të shëndetit mendor.
Sjellja e kësaj eksperience norvegjeze në kontekstin e shërbimeve sociale në Bashkinë Shkodër u konsiderua e vështirë ne momentet e para biles si e pa arritshme”, tregon për gazetën “SI”, Kastriot Faci.
Rezultatet e para, shpresëdhënëse
Profesori i tunxhit, Bep Vjerdha thotë se pjesa më e vështirë e punës ishte puna me 12 prej anëtarëve të bandës të cilët kishin rolin kryesor.
“Ata ishin arteria e bandës, veglat muzikore trompat, kishin peshën kryesore dhe e gjithë vëmendja ishte tek ata. Punuam bashkë me një koleg tjetër që të fuqizonim sadopak këtë pjesë. Di të them se jam emocionuar nga pasioni i tyre. Sepse megjithëse dalluam veshin muzikor, nëse nuk do të na ndiqnin do të ishte më e vështirë”, thotë Bepi.
Vitet e para te punës përmbyllen suskseshëm me një koncert të Bandës Muzikore në teatrin “Migjeni” me datë 26 Qershor 2006 në prani të një publiku të gjerë, prindër dhe autoriteteve vendore..
Emocionet e prindërve, të afërmëve të fëmijëve me aftësi të kufizuar ishin të mëdha.
Por edhe profesionistë si profesor Zef Simoni teksa shihte një prej anëtarëve të bandës që mbante me njërën dorë të paralizuar trombën dhe me trjetrën luante.
Familjarët e personave me aftësi ndryshe, mezi prisnin të dërgonin fëmijët e tyre të luanin në veglat muzikore si trompa, bas bariton, vegla te ritmit, bateri, grandcasa, treanclenë në turne të ndryshme që organizonin Kastrioti dhe bashkëpunëtorët e tjerë të qendrës sociale, sociologë dhe punonjës socialë që punonin direkt me personat me aftësi të kufizuar.
“Sot kemi programin tonë dhe punojmë rregullisht 2 herë në javë, të martave dhe të premteve në orën 13.30,
Është e çuditshme se të gjithë pothuajse vijnë të shoqëruar me prindërit një orë para nisjes së provave. Prindërit më thonë se mezi presin të vijë dita që kanë prova, sepse shumica e tyre nuk dalin jashtë, nuk kanë asnjë aktivitet tjetër vec muzikës”, tregon dirigjenti i bandës Bep Vjerdha.
“Në vitin 2010 shërbimi i bandës muzikore integrohet brenda projektit “Shkollë e Hapur, shkollë e shëndetshme në shërbim të komunitetit”, ku bashkëpunoi me shkollat e qytetit të Shkodrës.
Shërbimi i bandës muzikore u konceptua si një shërbim social ditor, ku në bazë të një kalendari të mirëpërcaktuar personat me aftesi ndryshe merrnin pjesë në këtë shërbim”, thotë për gazetën “Si” Kastriot Faci.
Ai vlerëson komunitetin e prindërve të anëtarëve të bandës pa të cilët kjo ide do të ishte e vështirë.
Sipas tij, rol të rëndësishëm kanë pasur nënat që me kujdesin dhe mbështetjen që u kanë dhënë fëmijëve, kanë realizuar dëshirën e tyre të jenë pjesë e bandës e të marrin pjesë në prova për aktivitetet brenda dhe jashteë vendit.
Deri tani, Banda Muzikore “The Door-Albania” numëron 4 pjesëmarrje ndërkombëtare në festivalin e bandave muzikore për persona me aftësi ndryshe që zhvillohet çdo tre vite në Norvegji.
Gjithashtu, numëron disa koncerte në qytetet të ndryshme të Shqipërisë si në Durrës, Tiranë, Vlorë, Koplik dhe Berat dhe në Kacanik në Kosovë.
Tani, fal kësaj bande, shumë prej nesh që ia ka parë e ka kuptuar që personat me aftësi ndryshe nuk ka se si të jenë një barrë për shoqërinë por dhe gëzim e vlerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.