Gazeta Si – Gjashtë anëtarë të dyshuar të një rrjeti kriminal shqiptar, akuzohen për rreth 50 vjedhje dhe grabitje të shtëpive luksoze të biznesmenëve dhe futbollitëve të njohur në Francë dhe Belgjikë.
Grupi i shqiptarëve, që synonte rezidencat luksoze të personazheve VIP, drejtohej nga Edison Pula, i cilësuar si “mjeshtri i arratisjeve” nga burgu, anëtar i të ashtuquajtur banda e Niklës, i arrestuar në Luksemburg rreth një muaj më parë.
Rreth 50 vjedhje, për 1 milionë euro
Burrat dhe gratë janë me kombësi shqiptare dhe dyshohet se kanë vjedhur mallra me vlerë mbi një milion euro, përfshirë tre në shtëpinë e një këngëtari, një të një futbollisti dhe një në banesën e një ish-piloti të Formula 1.
Arrestimet u kryen në dy operacione: dy anëtarë të dyshuar të rrjetit, të njohur si “Nikla”, u arrestuan në Luksemburg më 20 janar, “në bazë të urdhërarresteve evropiane të lëshuara nga gjykata e Reims”, tha xhandarmëria në një njoftim për shtyp. Pesë të tjerë u morën në paraburgim pranë Reims të martën. Katër prej tyre u akuzuan të premten.

Identifikimi
Kreu i dyshuar i bandës, i cili dyshohet edhe për tentativë vrasje në Shqipëri, u arrestua më 20 janar. Bëhet fjalë për Edison Pulën, “mjeshtrin e arratisjeve”, pasi për herë të fundit, kishte ikur nga qelia e tij përmes çarçafëve nga burgu në Trevizos në Itali në qershor të 2022 dhe ishte në kërkim nga Interpoli.
Pula u identifikua bazuar në ADN-në e tij, e cila erdhi nga më shumë se 30 vjedhje të kryera midis qershorit 2022 dhe shtatorit 2024, kryesisht në rajonin Grand Est, i cili kufizohet me Belgjikën dhe në rajonin e Parisit, tha xhandarmëria.
Konfiskimet gjatë kontrolleve të ndryshme të shtëpive vlerësohen në më shumë se 650,000 euro, duke përfshirë bizhuteri të vjedhura, ora shumë të vlefshme, artikuj lëkure luksoze, para cash dhe automjete, tha xhandarmëria.
“Në total, atyre mund t’i atribuohen më shumë se 49 vjedhje, me një vlerë prej më shumë se një milion euro”, thuhet në njoftim.

Direkt në mesin e të pasurve
Tashmë i njohur për vjedhje të organizuara në bandë ose trafik droge, i akuzuar në Shqipëri për vrasje, Pula ishte kufizuar në veprimtarin e tij në rajonin e Reims brenda komunitetit të tij.
Që nga ajo kohë e tutje, i riu dyshohej se kishte rifilluar aktivitetet e tij të vjedhjeve dhe grabitjeve, fillimisht në rajonin e Reims përpara se të rritej në pushtet dhe të zgjerohej në rajonin e Parisit, Veriut, Grand Est dhe Beneluksit.
Profili i viktimave kishte ndryshuar gjithashtu, me një numër në rritje të njerëzve të pasur, madje edhe shumë të pasur.
Lista e atyre që kanë rënë pre e grabitjeve të shqiptarit, përfshin këngëtarin Yanns (interpretues i hitit “Clic clic pan” të publikuar në vitin 2021, me 157 milionë shikime në YouTube) dhe një ish-pilot francez të Formula 1 (nuk dihet ende identiteti i tij, por nuk është Alain Prost, as Jean Alesi apo Olivier Panis).
Në fakt, sipas informacioneve, është vetëm një futbollist, portier, i cili aktualisht nuk luan në Stade de Reims.
Sa i përket vjedhjeve të kryera në shkurt 2020, në shtëpinë e portierit Predrag Rajkoviç dhe më pas në shtëpinë e sulmuesit Hugo Ekitike në mars 2022, nuk ka asnjë gjurmë për të cilat Pula mund të akuzohet, sepse ai nuk ndodhej në Francë asokohe.

Operacioni policor në Luksemburg
Vjedhjet që i atribuohen Edison Pulës në rajonin e Reims, thuhet se kanë filluar në verën e vitit 2022.
Fillimisht, të besuara tek xhandarët e brigadës së Reimsit, hetimi u mor përsipër nga seksioni për luftën kundër Krimeve në Reims, në bashkëpunim me zyrën qendrore në Paris.
Në fund të janarit 2025, policia vendosi të bëjë një operacion për kapjen e të dyshuarit gjatë një udhëtimi në Luksemburg.
Ai shoqërohej nga një tjetër shqiptar dhe përgjimi i mjetit të tij, nuk ishte i lehtë, ku u përfshinë disa postblloqe policore dhe katër-pesë automjete të xhandarmërisë, të cilat u dëmtuan pasi u goditën nga shqiptari në tentativë për t’u larguar.
Më 27 janar 2025, pas arrestimit në Luksemburg, Edison Pula u dërgua në paraburgim me urdhër të Gjykatës së Reims, i akuzuar për “vjedhje të rëndë” dhe “organizatë kriminale” së bashku me bashkatdhetarin e tij.

Faza e dytë e arrestimeve
Të martën e 4 marsit, faza e dytë e arrestimeve kishte të bënte me aspektin logjistik të çështjes, me arrestimin e katër personave (dy çifte) në zonën metropolitane Reims dhe në komunën Saint-Thierry.
Të liruar nën mbikëqyrjen gjyqësore, dyshohet se ata kanë ndihmuar të arratisurin, duke kanë marrë mallra të vjedhura prej tij ose se i kanë shitur.
Gjatë kontrollit, u gjetën shumë sende luksi, duke përfshirë artikuj lëkure, bizhuteri, madje edhe një orë me vlerë 100 mijë euro.
Janarin e kaluar, kur Edison Pula dhe bashkëpunëtori i tij i dyshuar u burgosën, ata u akuzuan për rreth 50 vjedhje, të vlerësuar prej të paktën 1 milion euro.
Edison Pula është dënuar në Shqipëri me 14 vjet burg për disa vepra penale, nga vrasja me paramendim, te shkatërrimi i pronës, vjedhja me dhunë, arratisje dhe armëmbjatje pa leje.
Në vitin 2016 ai ka qenë një prej personave që i vendosir sasi tritoli Gentian Bejtjes, duke e lënë të plagosur rëndë.
Bejtja u vra më 15 mars 2024 në një tjetër atentat të mirëmenduar mafioz. Ish-anëtar i bandës së Niklës, Pula u arratis nga burgu i Trevisos në Itali në vitin 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.