Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku u ka bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të kursejnë energji elektrike që qeveria të mos fusë në fuqi fashën e konsumit deri në 800KWh. Ajo tha se momentalisht konsumi ditor është 17.800 gigavatorë dhe me këtë normë dy javët në vazhdim që janë edhe festat do të jenë të vështira, nëse nuk do të ketë racionim.
“Sot që flasim kemi 919 gigavatorë rezervë hidrike për shkak të prurjeve nga reshjet që ne parashikojmë të vijojnë edhe më tutje. Por kursimi duhet të vijojë. Pas një thirrje që kemi bërë në muajin shtator për shkak të situatës së vështirë dhe çmimeve të larta të importit, qytetarët i janë përgjigjur kësaj thirrje për të konsumuar më pak energji. Ne e kemi vlerësuar reagimin tuaj dhe pavarësisht se është vendosur një fashë nga ERE e cila mund të futej në funksion kur ne të kishim vështirësi, nuk është vendosur kurrë dhe nuk është përdorur deri më sot. Puna ka dhënë rezultat”, -tha Balluku.
Ajo shtoi se duhet të arrihet targeti kombëtare prej 5% për të reduktuar konsumin e energjisë. Më tej, ministrja tha se në janar do të nisë prodhimi i energjisë nga dy anijet në Triport të Vlorës, që do të ndihmojnë më tej situatën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.