Menaxhim

Balluku: Shqipëria, tërheqëse për investime në burimet e rinovueshme. Ligji për energjinë do të rishikohet!

Nga Gazeta ‘SI’ –Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një tryezë mbi sistemin elektro-energjetik, lidhur me arritjet, sfidat dhe masat e marra për menaxhimin e sezonit turistik u shpreh se Shqipëria është bërë një ndër vendet më tërheqëse për investime.

Balluku ndër të tjera, në fjalën e saj është shprehur se energjia elektrike nuk është vetëm një shërbim, por është kthyer në një produkt që qarkullon në tregje kombëtare dhe rajonale.

“Sot sistemi elektro-energjetik shqiptar po ecën drejt integrimit të tregjeve, liberalizimit të furnizimit, vetëprodhimit të energjisë që është një nga incentivat që ne kemi nxitur në 5-vjeçarine  fundit dhe padyshim të gjitha këto kanë që komponentët kryesorë të vijnë drejt përmirësismit duke sjellë një rezultat të mirë. Duke pasur parasysh gjithashtu edhe gjithë vëmëndjes që i kemi dhënë pavarësinë energjetike dhe që vendi të kthehet në një eksportues neto. Energjia elektrike nuk është vetëm shërbim, por është kthyer në një produkt që qarkullon në tregje dhe jo vetëm në ato kombëtarë, por edhe rajonalë. Sot Shqipëria ka rritur kapacitetin e saj duke sjellë një diversifikimi të portofolit ashtu siç kemi nisur 5 vite më parë, duke garantuar zhvillim. Shqipëria është gjithashtu sot një nga vendet tërheqëse për investime ndërkombëtare, në energjinë e rinovueshme, duke pasur parasysh të gjitha kompanitë e huaja që operojnë sot në territorin tonë”, u shpreh Balluku.

Ministrja po ashtu njoftoi se do të ketë një rishikim të kuadrit ligjor që rregullon sektorin e energjisë.

“Duke hapur negociatat për anëtarësim, grupkapitullin nr. 4, i cili përfshin Axhendën e Gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme, e gjithë kjo punë na vendos përpara një përgjegjësie shumë të madhe jo vetëm gjatë procesit të negocimit, por edhe për përmbushjen e angazhimeve të ndërmarra për të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore që duhen performuar. Siç është edhe rasti i ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike”, i cili tahsmë është në draftin e tij final dhe ne planifikojmë që shumë shpejt ta hedhim për konsultim publik, të detajuar me gjithë grupet e interesit“, – tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë