Gazeta Si – Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në Qarkun e Fierit, njëkohësisht dhe zv/kryeministrja e vendit, Belinda Balluku, ka shpresa se avantazhi historik ndaj PD i arritur nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 majit të thellohet edhe më tej.
“Shpresoj që zarfet e Diasporës të hapen shumë shpejt. Ju e dini që fierakët, lushnjarët dhe një pjesë e mirë e mallakastriotëve ndodhen në Greqi, ndërkohë që në Divjakë dhe Roskovec kemi edhe banorë të Italisë, – tha ajo për mediat. – Kështu, që me hapjen e zarfeve të diasporës, besoj se ai 65 % do të thellohet shumë e më shumë dhe mandati i 12-të do të konsolidohet edhe më shumë”, u shpreh Balluku.
E pyetur për kundërshtarin e saj në këto zgjedhje, Gazment Bardhi, të deleguarin e PD-së në Fier, Balluku tha se vetëm një person ka mesazhe për të. Bëhet fjalë për kandidaten socialiste Zegjine Çaushi, e cila gjatë gjithë fushatës i ka lëshuar thirrje.
Prandaj, drejtuesja politike e qarkut Fier tha se nuk do ia marrë kënaqësinë të resë socialiste që t’ia japë atij një mesazh të fundit.
“Unë di që për zotërinë ka vetëm një person mesazhe në këtë qark, quhet Zegjine Çaushi. Edhe është një vajzë që kandidon në listën tonë, një vajzë nga Vloshi i Roskovecit, një luftëtare do të thoja unë, pavarësisht se si është anatemuar jo vetëm nga politikanët, por edhe nga mediat sociale, sepse ju keni qenë korrektë. Unë mendoj që nuk mund t’ia marr kënaqësinë Zegjinesë. E meriton ajo komunikimin dhe do t’ia lë asaj. Si gjithmonë, unë për veten time s’kam pasur ndonjëherë komunikime të tilla, kështu që kam me kë e ndaj këtë gëzim”, tha Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.