Menaxhim

Balluku: Së shpejti paraqesim projektin e Hekurudhës së Kombit

Nga Gazeta ‘Si’– Një hap më afër drejt Evropës, e konsideroi zv/kryeministrja Belinda Balluku marrëveshjen e firmosur për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë.

Në një deklaratë për mediet, pas nënshkrimit me drejtorin e Bankës Europiane për Investime, Lionel Rapaille, Balluku vlerësoi se ndërtimi i hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, nis një rrugëtim që do të bashkohet e ndërlidhet me autostradën energjetike që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut.

“Të gjithë këta komponentë po plotësojnë një pazëll të transportit hekurudhor, një nga transportet më të rëndësishme për BE-në, duke qenë se ai ofron eficiencë financiare për çdo qytetar dhe nga ana tjetër është miqësor me mjedisin”, deklaroi Balluku.

Ajo informoi se edhe segmenti hekurudhor Tiranë-Durrës është në hapat e fundit të ndërtimit dhe do të dorëzohet brenda këtij viti, duke i lënë vitit 2026 plotësimin e komponentëve të tjerë, atë të elektrifikimit të saj dhe krijimin e stokut të vagonëve dhe lokomotivave që do të operojnë.

Njëkohësisht informoi se gjatë vitit 2025 nis ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, një nga segmentet më të rëndësishme ndërlidhëse të rajonit. Ky segment sipas saj, përfundon në 2029-ën.

Balluku tha se shumë shpejt do të prezantohet edhe projekti i Hekurudhës së Kombit.

“Në ditët në vijim do të kemi edhe një prezantim të projektit kombëtar, me interes shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e Kosovës. Bëhet fjalë për Hekurudhën e Kombit që do të prezantohet në Shkodër, ku do të jetë dhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë”, deklaroi Balluku.

Brenda vitit, shtoi ajo, do të kemi një projekt të plotë të segmentit hekurudhor Durrës-Rrogozhinë, që parashikohet të dorëzohet si vepër në 2028.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë