Nga Gazeta ‘SI’- Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjetikës, Belinda Balluku prezantoi sot administratorin e ri të OSHEE-së, Enea Karakaçin, pas mbarimit të mandatit të Ardian Çelës dhe foli për ‘reformimin’ e të gjithë sektorit energjetik.
“Këtë takim e kam kërkuar si fillim për të prezantuar administratorin e ri të OSHEE-së Enea Karakaçi që mendoj se zgjedhja e tij në këtë pozicion tregon që vëmendja qëndron si zakonisht me OSHEE. KESH ka një rëndësi të veçantë në prodhimin dhe në menaxhimin, nuk do të ketë ndërprerje sa i përket investimeve pra OST do të ketë mbështetje, por OSHEE është një nga pikat kyç pasi janë ato që përballen me klientin. Jeni një nga ndërmarrjet që jeni për tu marrë shembull sa i përket përafrimit të plotësimit të kërkesave me BE dhe kjo gjë konsiston me ndarjen e kompanive që dhe pse funksionojnë si të pavarura qëndrojnë nën strehën e OSHEE. Duke nisur nga kriza e 2022 e duke vijuar me sfidat duhet thënë se OSHEE, OSSH, FTL dhe FSHU kanë nevojë për një riorganizim të fuqishëm, për një frymëmarrje dhe ritëm të re dhe mendoj se Enea, me Tonin e bashkë me të tjerët do ja dalin me sukses”, u shpreh ministrja gjatë takimit.
Më tej ajo shtoi se sektori turistik është tani fokusi kryesor i ministrisë dhe të gjitha enteve energjetike, duke garantuar se vendet bregdetare do të kenë shkëputje të reduktuara të energjisë.
“Kemi një fluks të turizmit, ka zona dhe qytete kryesisht bregdetare, nga Velipoja deri poshtë në Ksamil që bëhen mikpritës të shumëfishit të banorëve këto ditë. Dhe oponenti tjetër që po përballemi këto ditë dhe deri në fund të verës janë temperaturat e larta. Kemi pasur probleme me këtë por gjej rastin të falënderoj grupet e OST që kanë marrë masat për të bërë rregullimin sa më të shpejt dhe ndërprerjet e energjisë të jenë sa më të shkurta”, ka thënë ministrja Balluku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



