Nga Gazeta ‘SI’ – Shqipëria do të jetë shtëpi e një nga projekteve më të mëdha eolike në Europë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zv/kryeministre, Belinda Balluku tha se një park i energjisë së prodhuar nga era do të ndërtohet në Tropojë, financuar nga amerikanët.
Balluku u shpreh se qeveria ka nisur me procedurat e autorizimeve.
“Në muajt në vazhdim po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha në Europë të prodhimit energjetik eolik. Për parkun e erës të vendosur në zonën e Tropojës, e cila ka nisur të gjithë procedurën e autorizimeve, e financuar nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane që do t’i shtojë kurorës sonë energjetike një tjetër komponent të gjelbër”, tha Balluku gjatë konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2025“.
Ajo u bëri thirrje ambasadorëve të bëhen promotorë të Shqipërisë nëpër botë.
Balluku shtoi se tani më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për “ambasadorë ekonomikë”, si bazë e trupës diplomatike dhe jo në vullnet të ambasadorëve.
“Nuk mund të mbetet diplomacia ekonomike si dëshirë apo vullnet i ndonjë ambasadori apo aftësi karakteriale. Diplomacia ekonomike duhet të qëndrojë në bazë të trupës diplomatike shqiptare, si një nxitje e vazhdueshme sepse sot kemi mundësinë për të promovuar një produkt të jashtëzakonshëm siç është Shqipëria. Shqipëria e energjisë së gjelbër, e interkonekivitetit, Shqipëria e kulinarisë, Shqipëria e turizmit që jam e sigurit që kudo shkoni dhe uleni ju flasin ndryshe nga sa flisnin më parë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



