Menaxhim

Balluku: Në 2024-ën përfundojnë dy lotet e para të Korridorit 8. BE të na financojë, i kemi bërë detyrat e shtëpisë

Nga Gazeta ‘SI’ – Zv. kryeministrja Belinda Balluku, njëherësh edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh se brenda vitit 2024 parashikohet që të përfundojnë punimet për ndërtimin e dy lotëve të para të aksit Elbasan- Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur gjithashtu se në shtator të këtij vitit pritet që të hapen procedurat edhe për dy lotet e tjera të këtij aksi, loti 3 dhe 4.

“Duhet të kemi parasysh që prej kohësh ne kemi nisur një projekt të madh të përbashkët, projektin e zhvillimit të Korridorit të VIII, një ëndërr të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i cili tashmë nuk është thjesht një projekt në letër. Nga ana shqiptare ka nisur prej kohësh dhe ndodhemi në lotin e dytë. Gjithashtu, nga ana e Maqedonisë së Veriut ka pasur një progres të jashtëzakonshëm për sa i përket këtij korridori”, tha ministrja.

Ajo shtoi se qëllimi i Korridorit 8 nuk janë vetëm autostradat, por më shumë rrugët hekurudhore, si një formë transporti më pak e kushtueshme për qytetarët dhe mjedisin.

Ministrja përsëriti thirrjen e saj për BE-në, për të shtuar vëmendjen dhe financimin ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, si dy shtete që ‘i kanë bërë detyrat e shtëpisë’.

“Një Korridor, jo thjesht transporti dhe infrastrukture, por një korridor i sigurisë, e cila u testua fort gjatë vitit 2022, duke treguar se askush nuk është i paprekshëm nga luftërat apo nga ngjarjet e jashtëzakonshme, pavarësisht distancës ku ato zhvillohen.  Kështu që ne të gjithë së bashku sot gjejmë rastin që të angazhohemi edhe njëherë duke treguar se ky projekt në dukje i vogël, por shumë i rëndësishëm është një nga produktet që ka dhënë bashkëpunimi ynë i frytshëm midis dy qeverive dhe administratave tona, kështu që jemi të sigurt që dhe të gjitha projektet e tjera, siç janë ato strategjike Korridori VIII do të jenë të suksesshme”, përfundoi ministrja Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë