Menaxhim

Balluku: Këtë vit shtojmë burimet energjetike. Nis puna për Korridorin 8

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se 2023-shi do të jetë viti i diversifikimit të burimeve energjitike në vend me anë të projekteve fotovoltaike dhe eolike që po zhvillohen.

Gjatë konferencës për objektivat e vitit 2023, zv/Kryeministrja përmendi projektet fotovoltaike në zonën e Karavastasë, Spitallës, Belshit dhe integrimin e parqeve më të vogla në Vaun e Dejës. Sipas ministres, të gjitha këto projekte do ta bëjnë Shqipërinë lider energjetik në të gjithë rajonin, bashkë me investimet e privatëve.

“Ne synojmë të bëhemi liderë energjitike të rajonit. Kemi miratuar 7 projekte nga subjektet private deri tani me 300 megavatorë në totalë dhe vlerë financiare, 180 mln euro. Në ministrinë e Energjisë do të trajtohen 55 projekte të tjera, me kapacitet 1.7 gigavatorë dhe injektim 1.1 mld euro në ekonominë e vendit. Përfshirja e privatit në energji është momentum historik”, – u shpreh ministrja Balluku.

Më tej, ajo ripërmendi se gjatë 2023-shit do të nisë gazifikimi nga qyteti i Korçës dhe më pas në Fier, si një pikë dalëse e TAP dhe qytet me temperatura të ulëta.

Foto nga konferenca e Ministrisë së Energjisë, Gazeta ‘SI’, 9 janar, 2023

Pjesë e konferencës ishin edhe drejtues të institucioneve të tjera energjetike në Shqipëri.

Kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, Ergys Verdho, njoftoi se në dhjetor 2023 do të nisë operimi i TEC-it të Vlorës. Ai shtoi se i gjithë viti pritet të jetë i lagësht dhe favorizues për sektorin, lidhur dhe me faktin që ka nisur me një rezervë energjetike të mirë, prej 1.200 gigavatorësh.

“2022-shin do ta mbajmë mend si viti i tmerrshëm energjetik, nga dekarbonizimi tek lufta në Ukrainë. Gjatë kësaj kohe dolëm në treg për mundësi të reja energjie dhe përfituam dy gjeneratorë, dy anije nga SHBA, të vendosura në Vlorë me kapacitet 110 megavatorë. Po ashtu, po përfundon faza e parë e Skavicës dhe po gjejmë investitorin”, -tregoi Verdho.

Drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, Bledian Dalipi, tha se në kabinat energjetike dhe më vonë në shtëpinë e çdo abonenti, do të vendosen “Smartmeters”, që do të masin humbjet dhe konsumin real të energjisë.

“Kjo bën të mundur, matjen e saktë të humbjeve të energjisë dhe na orienton drejt investimeve më eficente deri në 2026-n. Abonentët do ta shohin konsumin e tyre online në çdo moment. Nuk do të shkojmë më në çdo pikë konsumi për ta matur atë”, – tha Dalipi në konferencë.

Ministrja Balluku, përgjegjëse edhe për projektet infrastrukturore, tregoi se në viti 2022 u ndërtuan 68.2 km rrugë dhe pritet të shkojë në 242 km deri në fund të 2023-shit. Ajo përmendi se po punohet për një pikë të re kalimi me Maqedoninë e Veriut, në zonën e urës së Bushtricës.

“Kanë nisur punimet për kantierin më të rëndësishëm në Shqipëri, flasim për Korridorin e Tetë. Pas bashkëpunimit me Bullgarinë dhe Italinë ia dolëm të përfshihemi në TEN -T. Jo vetëm për rrugët, por sidomos për ndërtimin e hekurudhave. Grup i përbashkët pune për një tunel me Maqedoninë e Veriut për një pikë të re kufitare dalëse, në zonën e urës së Bushtricës. Por fjala e fundit i mbetet ministrive të Brendshme të dy vendeve”, -u shpreh Balluku.

Ajo shtoi se në Korridorin e Tetë është edhe bypass-i i Elbasanit për të cilin do të kërkohet financim nga BE-ja. Të gjitha kontratat e Korridorit Blu do të nënshkruhen në 2023-shin dhe se do të çelet gara për ndërtimin e akseve Milot-Balldren dhe Berat-Ballaban.

Në fund të fjalës së saj, ministrja Balluku përmendi dhe projektin e portit të Durrësit nga investitorët arabë, me vlerë 2 mld euro, si investim për të gjithë rajonin, jo vetëm Shqipërinë. Në 2023-shin, nis puna edhe për portin e integruar të Vlorës dhe të Shëngjinit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë