Menaxhim

Balluku: Në 200 km e para të autostradave kryesore do të vendosen pika karikimi për makinat elektrike

Nga Gazeta “SI” – Në samitin e Ballkanit Perëndimor mbi strategjitë infrastrukturore, të mbajtur në Tiranë, ministrja e Transportit dhe Energjisë, Belinda Ballluku njoftoi se ka një projekt për elektrifikimin e transportit

Pyetur nga përfaqësuesja e Komisionit Europian, Mona Bjorklund, se cilat ishin planet e Ministrisë për të zhvilluar më tej rrjetin e stacionit e karikimit elektrik, Balluku tha se në projektin e monitorimit të transportit, përfshihet nisma për zgjerimin e pikave të karikimit për mjetet elektrike.

Ministrja shpjegoi se ato do të shtohen fillimisht në 200 km e para të autostradave kryesore në vend, duke shtuar se ka dhe një plan për elektrifikimin e plotë të transportit urban dhe ndërurban publik, në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.

Ajo shtoi se deri në fund të vitit 2021, në Shqipëri vetëm 0.09% e mjeteve aktive ishin plotësisht elektrike.

Në samit foli edhe Liburn Aliu, ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë, i cili tha se prodhimi 95% të energjisë prej qymyrit dhe lëvizja e makinave emetojnë masën më të madhe të karbonit në Kosovë, dhe se përpjekjet për reduktimin e tij duhet të jenë lokale, kombëtare e ndërkombëtare.

“Në Kosovë kemi prioritet shërbimet inteligjente të transportit që po hartohet si strategji. Ai do të mundë që në kohë reale të njoftojë të gjithë udhëtaret për rreziqet që do të kenë gjatë rrugës. Po orientohemi nga transporti hekurudhor për të ardhmen, por na duhet një ndërlidhje e atij rrugor”,-tha ministri Aliu.

Në fund të pjesës së parë të takimit, të gjithë ministrat e Transportit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshjen për përkushtimin në rrugët e së ardhmes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë