Menaxhim

Balluku: Kardhiq-Delvinë hapet më 2 korrik. Do të ndihmojë turizmin

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se aksi Kardhiq-Delvinë do të hapet për qarkullimin e automjeteve më 2 korrik.

“Me përfundimin e këtyre metrave të fundit që kanë mbetur për betonim ne kalojmë në pjesën tjetër, atë të asfaltimit të aksit hyrës dhe aksit dalës të këtij tuneli dhe të të gjithë tunelit, vijëzimin dhe gjithçka tjetër do të duhet. Ka pasur një pritje shumë të gjatë nga të gjithë qytetarët, të gjithë vizitorët, bizneset, kompanitë turistike për këtë aks lidhës, kështu që çdo ditë që dorëzohet para aftit do jetë shumë e vlerësuar nga të gjithë”, tha Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në një inspektim nga afër të punimeve, bashkë me me drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberi, ministrja vlerësoi punën e bërë, duke shtuar se ndërtimi i këtij segmenti, jo vetëm shkurton distancën drejt bregdetit, po i jep një zhvillim të madh turizmit.

“Tuneli është në fazën e fundit të betonimit. Jemi në proceset e vendosjes së rrjetit elektrik, ndriçimit, vendosjes së sistemit elektro-mekanik që janë ventilatorët. Na kanë ngelur jo më shumë se 200 metra  për të dalë në anën tjetër të tunelit, i gjithi i betonuar. Është një tunel me gjerësi 11 metra, me lartësi 5 metra dhe ka dy korsi nga 3.75 metra të asfaltuara, plus pankina 1.25 metra të asfaltuara dhe ato me dy trotuare anësore me 0.75 metra”, tha Evis Berberi, Drejtor i ARRSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë