Menaxhim

Balluku: Institucionet duhet të reduktojnë me 15% konsumin e energjisë. ERE miraton çmimin, jo fashën!

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi se është miratuar akti që detyron institucionet shtetërore të reduktojnë 15% të konsumit të tyre mujor të energjisë, në raport me një vit më parë.

“Do të ketë një administrator përgjegjës për energjinë, që është tashmë punonjës i institucionit dhe emërohet nga titullari i institucionit. Në rast se targeti nuk arrihet brenda dy muajve, do të ketë një gjobë deri në 50 mijë lekë për administratorin”, -tha ministrja.

Ajo shpjegoi gjithashtu edhe keqkuptimet për miratimin nga ERE të fashës 800 KWh, ndërkohë që qeveria e ka shtyrë fuqizimin e saj. Balluku sqaroi se detyra e ERE-së është të miratojë ose jo çmimet që propozon qeveria dhe ajo këtë ka bërë. Ndërsa për vendimin nëse e aplikon apo jo, i takon qeverisë, që ka instrumentet financiare.

Më tej, Balluku tha se është miratuar dhe fondi dedikuar programit për mbështetjen e familjeve që kërkojnë të instalojnë panele diellore, deri në 70%.

Në përgjigje të pyetjes së drejtuar, mbi vendimin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriuqë e përcaktoi si shkelje shkarkimin e prokurorit të Tiranës dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Besnik Cani, Balluku, në pozitën e zv.kryeministres, tha se nuk është një vendim që cënon procesin e vettingut dhe se është individual, jo i përgjithësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë