Menaxhim

Balluku: Do të ngrihen 2 parqe fotovoltaike në Korçë. HEC-et private do t’i paguajnë vetë disbalancat

Nga Gazeta “SI” Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në mbledhjen e qeverisë së të enjtes, 9 qershor, tha se janë miratuar dy parqe të reja fotovoltaike .

Parqet do të jenë në zonën e Korçës, me kapacitet 20 Mw dhe nuk do të marrin mbështetje, por do të paguajnë tarifën e 2% tek shteti.

“Kemi miratuar sot dy parqe fotovoltaike, të cilat do të ndërtohen në qarkun e Korës, secili nga 20 Mwh, pa mbështeti financiare nga shteti shqiptar, pra një investim totalisht privat. Është një investim nga entitete vendase, por përkon me një situatë shumë të vështirë sa I përket energjisë elektrike” nënvizoi Balluku.

Ministrja Balluku tha edhe se operatorët privatë do t’i paguajnë vetë kostot e disbalancave energjitike dhe jo më të mbuluara nga operatorët shtetërorë.

Ky vendim sipas saj, do të shërbejë për të shëndoshur financat e operatorëve publikë që kanë mbajtur këtë kosto deri më sot.

Vendimi i tretë në mbledhje i prezantuar nga ministria e Energjisë, lidhet me një marrëveshje hidrokarbure për vendburimet e gazit natyror në Frakull dhe Povelçë, vendburime gazi që më herët i takonin Albpetrol.

“Një tjetër vendim është projektvendimi për miratimin e marrëveshjes hidrokarbure me ndarje prodhimi për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e gazit natyror në Frakull dhe Povelçe. Vetëm në fazën e eksplorimit janë parashikuar investime prej 500 mijë USD për secilin vendburim, një investim i rëndësishëm në kushtet e krizës”, – tha ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë