Menaxhim

Balluku: Çmimi i energjisë nuk është rritur, ka rënë ndjeshëm konsumi

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku theksoi në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Mjedisin dhe Trgetinë se çmimi i energjisë nuk është rritur.

Balluku deklaroi se pritet që nesër të nisin reshjet në zonën e kaskadës së Drinit duke theksuar se e kanë lënë të hapur mundësinë për anulimin e fashës në rast se do të ketë prurje.

Ajo gjithashtu theksoi se ajo që i ka ‘shpëtuar’ abonentët deri më tani është fakti se sipas saj konsumi ka rënë ndjeshëm gjatë muajit tetor në një shifër prej 6.2%.

“Është 4% e konsumatorëve që kalojnë fashën e vendosur. Në muajin me konsumin më të lartë të vitit kemi 58 mijë familje. Fashat janë vendosur kudo.

Ne po mundohemi që mos ta vendosim. Nesër fillon shiu në zonën e interesit, flasim për Kaskadën, e kemi lënë të hapur nëse do kemi prurje dhe për ne do jetë fat që të mos vendosim fashën. E vetmja gjë që sot na shpëton është se konsumi ka rënë ndjeshëm me 6.2% për muajin tetor”, deklaroi Balluku.

Duke u ndalur tek investimet në veri të vendit në infrasktrukturë, pasi deputeti demokrat Helidon Bushati, akuzoi për diskriminim në investime ndërmjet qarqeve të veriut dhe atyre të jugut, ministrja Belinda Balluku theksoi se nuk ka asnjë diskriminim nga ky aspekt.

Balluku u ndal edhe tek ndërtimi i autostradës Milot-Balldren, ku tha se me kompaninë koncesionare ka ndërprerje të kontratës në mënyrë të njëanshme për mosplotësim të kushteve. Ministrja u shpreh se në fillim të vitit 2023 do të hapet gara për një kontratë koncesionare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë